Grupi ‘3 Doors Down’ do ta lansojë këngën e parë në pesë vjetët e fundit

27 Korrik, 2020 - 12:58 pm

Grupi i njohur i muzikës rok, “3 Doors Down”, ka bërë të ditur se së shpejti do ta lansojnë këngën e tyre të parë pas një pauze pothuajse pesë vjeçare.

Me titull “Wicked Man”, kënga e re e cila pritet të publikohet në fund të këtij muaji, e shënon projektin e parë muzikor të bendit nga Mississippi, prej lansimit të albumit të tyre të gjashtë të incizuar në studio, “Us And The Night”, i cili ishte publikuar në mars të vitit 2016, transmeton KultPlus.

Duke diskutuar për këngën e re në një intervistë të fundit në radio, vokalisti i bendit Brad Arnold tha se me ta shkruar tekstin e këngës, ai ka dashur ta incizojë dhe lansojë atë sa më shpejtë që është e mundur.

“Teksti i këngës është i thjeshtë dhe nuk qe i vështirë për t’u shkruar. Por ai ka kuptim të plotë për mua. Fjalët e këngës shkonin shumë mirë me melodinë e kitarës të cilën e kishte krijuar Gregu, dhe me ta dëgjuar atë vendosa të shkonim në studio për ta incizuar këngën. Ne e kemi një studio të vogël dhe të thjeshtë ku i incizojmë këngët tona. Nuk ke nevojë të kesh studio të madhe për të bërë muzikë. Pra, qëllimi ynë kryesorë ishte që ta lansonim këtë projekt sa më shpejtë që ishte e mundur.”

E përbërë nga melodia e kitarës dhe violonçelës, si dhe vokalet e Arnoldit, kënga e re e rok grupit amerikan vjen e thjeshtë dhe besohet se shumë njerëz do të mund të lidhen me të.

Në vitin 2017, bendi “3 Doors Down” ishte kritikuar ashpër për faktin se kanë pranuar të performojnë në ceremoninë inauguruese të Donald Trumpit si president i SHBA-ave.

Menaxheri i tyre i kishte dalë në mbrojtje anëtarëve të grupit duke thënë se ata janë njerëz shumë të mirë dhe të dashur të cilët vijnë nga familje konservative, dhe nuk është drejtë që muzikantët me një karrierë prej 16 vjetësh të kritikohen për faktin se kanë besime të ndryshme politike. / KultPlus.com

Të ngjajshme