Grupi ‘Lady Antebellum’ ndryshon emrin shkaku i racizmit

13 Qershor, 2020 - 12:41 pm

Pop-grupi i njohur amerikan “Lady Antebellum” ka ndryshuar emrin në “Lady A”, pasi “Antebellum” ka përmbajtje të periudhës së skllavërisë.

Treshja nga Nashville fitoi pesë çmime Grammy dhe dhjetë herë ka prirë në top-listat amerikane. Fjala “antebellum” është përdorur për të treguar periudhën dhe arkitekturën në jugun amerikan, para Luftës Civile.

Ata janë arsyetuar se fjala është përdorur nga stili arkitekturor, por kanë kërkuar falje për dhimbjen që mund ta kenë shkaktuar nga përdorimi i fjalës në emrin e grupit. Në një reagim në Twitter, grupi “Lady A” ka thënë se protestat kundër racizmit ua kanë hapur sytë. “Padrejtësitë, pabarazia, fyerjet ndaj afro-amerikane na hapën sytë”, thuhej në komunikatën e grupit.

“Ishin disa tema që nuk e kemi ditur se ekzistojnë”, thuhej më tej. Fotografia e shkrepur para 14 vjetësh përballë një shtëpie me stil u bë shkas për emrin e grupit, transmeton KultPlus.

“Si muzikantë, na përkujton krejt muzikën që ka lindur në Jug, e që ka pasur ndikim te ne”, ka thënë grupi. Ata kanë shprehur keqardhje që nuk u ka rënë ndërmend më herët për kuptimin që mund të marrë fjala “antebellum” në aspektin racor.

“Na vjen keq për secilin që e kemi lënduar dhe është ndier i shqetësuar shkaku ynë. Shkaktimi i dhimbjes kurrë nuk është qëllimi ynë, por në fakt edhe e kemi bërë”, ka thënë grupi. “Lady A” është njohur më së miri për hitin “Need You Now”, që në vitin 2010 korri sukses të madh në toplistat amerikane dhe britanike. Grupi, vendimin e ka marrë pas reflektimeve personale, diskutimeve dhe bisedave të sinqerta me miqtë afro-amerikanë.

“Nuk na falet që këtë problem e kemi kuptuar shumë vonë. Tani mund të mësojmë dhe të veprojmë në këtë çështje”, ka thënë grupi. Vendimi për ndërrimin e emrit erdhi pasi studioja “One Little Indian”, që ka realizuar këngë për Bjorkun, Sigur Rosin dhe Paul MacCartneyn, ka ndërruar emrin në “One Little Independent”. Themeluesi i studios, Derek Birkett, ka thënë se vendimi u bë kur një fans ia sqaroi se përse emri ishte fyes.

“Javët e kaluara kanë shërbyer për të mësuar. Një fans na ka treguar me saktësi se logoja dhe emri i studios ishin fyes dhe të dhunshëm për historinë e terminologjisë. I jam mirënjohës që më bën të kuptoj se çfarë duhet ndryshuar”, ka thënë Birkett. Ai ka sqaruar se emri i studios së krijuar në fund të viteve ’70 u frymëzua nga filozofitë e njerëzve indogjenë në Amerikë. “Atë kohë isha shumë naiv, por mendoj se logoja dhe emri ishin reflektim i respektit tim dhe mirënjohjes ndaj kulturës së tyre”, ka thënë Birkett.

“Tani e di se kontributi kundër racizmit është dashur të adresohej shumë kohë më parë”, ka sqaruar ai. Riemërimi në industrinë e muzikës po bëhet për të adresuar historinë e komplikuar të racës pak javë pas protestave kundër racizmit që nisën me vdekjen e George Floydit në duart e policisë. Termi “muzikë urbane” është hequr prej përdorimit nga studioja muzikore “Republic Records”, që menaxhon yjet si Drake dhe Ariana Grande.

“Grammy” gjithashtu ka njoftuar se do të ndalojë përdorimin e fjalës “urban” për të përshkruar muzikën me origjinë afro-amerikane në kategoritë e tyre. /koha/ KultPlus.com

Të ngjajshme