Hamami i Sarajevës dhe ankesat e Nexhmijes mbi tymin e duhanit (FOTO)

27 Dhjetor, 2017 - 7:57 pm

Në Sarajevë, në vitin 1984, do të këndonte në kuadër të Olimpiadës Dimërore që po mbahej në këtë qytet.

Ajo po e prezantonte kulturën e Kosovës në Qendrën Kulturore Boshnjake – Hamam Bar, me këngë shqipe dhe me meloditë që veç ajo di ti sjellë.

Në disa fotografi të publikuara nga Luan Koshi, është pikërisht ky koncert në Sarajevë dhe Nexhmija me grupin e saj duke kënduar. Një nga këto paraqitje ka qenë edhe fundi i karrierës muzikore të Nexhmije Pagarushës edhe pse ajo vazhdoi të ishte pjesë e projekteve të ndryshme muzikore më vonë.

Pikërisht mbi këtë paraqitje, Nexhmija ka treguar se si i ka humbur zëri dhe se si ishte e zhgëjyer me paraqitjen e saj.

“Kisha disa vështirësi me zërin kohët e fundit, për çfarë edhe e kisha konsultuar një mjek në Beograd, i cili sa herë që mbaja koncerte atje, vinte bashkë me të shoqen e më nderonte me buqetë lulesh. Më pati preferuar: zonjë, juve ju nevojitet një periudhë qetësie, s`kemi nevojë për ilaçe. Ndërprerja definitive e zërit, ndërkaq, ndodhi në Sarajevë, në Lojërat Dimërore Olimpike 1984. Radio Prishtina më çoi bashkë me orkestrën që të këndoja për mysafirët e ardhur nga e gjithë bota. Këndoja në një lokal që i thonin Hamam Bar, përnatë, dhjetë ditë. Kjo ishte e tepërt për mua, në atë tym duhani. Pastaj, isha nervoze, ngase orkestra zbavitëse nuk dinte të më shoqëronte. Kur erdhi Ansambli Shota, bashkë me Luan Hajrën, u gëzova. Këndova dhe të nesërmen mbrëma me këtë ansambël, gjë që askush në botë nuk do të dilte të këndonte me atë zë që pata atë natë! Por, më vinte keq t`i lija, se ndërmjet pikave kur unë dilja, ata të ansamblit ndërronin gardërobën për paraqitjen e radhës. Ajo natë për mua ka qenë e tmerrshme, disa tone mund ti këndoja, disa jo, ndërsa djersët më shkonin, salla ishte përplot, megjithëkëtë duartrokitnin” tregon Nexhmija në librin e Sanije Gashin – Ecje nëpër kujtesë, derisa flet se si nisi zëri i saj të marrë ngjyrim tjetër shkaku i disa viteve performanca por edhe paraqitjeve në lokacione ku zëri i saj përzihej me tymin e duhanit.

“E kisha një koleg të ri, mik, që studionte në Sarajevë, i cili m`u afrua: Nexhi, ti më kështu nuk bën të këndosh! – E di, i thashë. Dhe kurrë më në jetë nuk kam kënduar! Ishte një mbrëmje e ftohtë, e ftohtë, si dimrat e Sarajevës më. Kjo ishte përshëndetja ime e fundit me skenën, me këngën, me zërin” tregon Pagarusha rreth periudhës kur u largua nga muzika për tu rikthyer vite më pas në një tjetër rrethanë dhe ndihmuar nga miqtë e saj këngëtarë. / KultPlus.com

Të ngjajshme