Haradinaj ia tërheq vërejtjen Bahtirit për koncertin e Shakirës në Mitrovicë

16 Tetor, 2018 - 4:15 pm

Entuziazmi i kryetarit të Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri për hapjen e Urës së Ibrit me koncert të Shakirës, po rrezikohet.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj i ka kërkuar Bahtirit që të ketë kujdes me deklarata.

Haradinaj në konferencën për media, pas mbledhjes së Qeverisë, ka komentuar planin që ka Agim Bahtiri për organizimin e një koncerti ku do të performonte Shakira.

Kryeministri thotë se hapja e urës së Ibrit, që ndan qytetin në dy pjesë, nuk është çështje që ndodh vetëm për një ditë.

“Nuk kam as unë kundër. Ura nuk është çështje e hapjes vetëm për një ditë. Nuk dëshirojmë të rikthejmë situata kur dikush barrikadohet në anën tjetër. E kam lutur që ai të kujdeset”, ka thënë Haradinaj.

Ndërkaq, kryetari Bahtiri, sot në një bisedë me Gazetën Express ka thënë se janë në bisedime me menaxherë të disa yjeve botërore për të sjellë në Mitrovicë ndonjërin nga ta. Bahtiri ka konfirmuar se emër konkret kanë Shakirën, ndërsa ka thënë se planifikon që atë ta sjellë në qytetin e ndarë, pa e paguar.

Sipa Bahtirit, është në interesin e këngëtares që të bëhet figura që ka përformuar në një ngjarje kaq madhore, si ai i hapjes së urës që ndan Mitrovicën për 20 vjet.

Të ngjajshme