Harkorët sollën një magji tingujsh në koncerti e nëntë të KamerFest Kosova

31 Tetor, 2017 - 10:50 am

Festivali i muzikës kamertale Kamerfest erdhi me koncertin e nëntë me radhë “Vetëm harkorët”, duke vënë në skenë Frank S.Dodge, violonçello nga SHBA/Gjermania, violinistin Blerim Grubi nga Maqedonia, Mariades Cassaras nga Greqia dhe në interpretim të çelisteve kosovarë Antonio Gashi, Vjosa Berisha- Abdullahu, Arian Zherka dhe Fjolla Asllanaj, shkruan KultPlus.

Tingujt e parë të këtij koncerti nisën kur në skenën e Amfiteatrit të Bibliotekës Universitare erdhën Blerim Grubi me violinë dhe Frank S.Dodge me violonçello të cilët më një koordinim muzikor dhe me një përkulje me buzëqeshje ndaj njëri-tjetrit sollën veprat e Bethovenit.

Pas interpretimit të parë mbrëmja vazhdoi me tingujt të violonçellos, ku Frank S.Dodge vazhdoi në interpretim të përbashkët me violonçelistin kosovar Antonio Gashi, ku lëvizjet e tyre artistike mbi çello sillnin një përsosmëri tingujsh.

Frank S.Dodge i vënë prapa çellos së tij, e i rrethuar me çelistë të tjerë, sikur niste vargun e tingujve që lëviznin në sallë. Veprat e Schumanit, Rossinit, Regerit, Wagnerit e Popperit erdhën përmes një numri më të madh violonçelistësh por që në mes të tyre ndodhej Frank S.Dodge që së bashku me Antonio Gashin ishin epiqendra e tingujve që shpërndaheshin, e përcilleshin më shumë përkushtim nga çelisti grek Miltiades Cassaras, duke vënë pastaj në skenë edhe një gjeneratë më të re çelistesh si Arian Zherka, Vjosa Berisha, e Fjolla Asllanaj.

Frank S.Dodge lëvizte kokën me shpejtësi herë në njërën anë e herë në tjetrën ku ndodhej i rrethuar me çelistë të tjerë derisa mirëpriste secilin që i bashkohej. Ai për KultPlus tha se veçantia e këtij festivali është pikërisht puna e përbashkët me artistët e tjerë.

“E mira e muzikës, që po vije edhe në këtë festival është se neve si artistë na mbledh së bashku kur kohën më të madhe e kalojmë duke menduar se si të dalim në skenë dhe si të arrijmë t’i bëjmë gjërat sa më mirë së bashku. Për mua ishte kënaqësi të luaj së bashku më të gjithë këta instrumentist dhe mendoj që ishte një shans e mirë edhe për çelistët e rinj që të luajnë më këtë program të këtyre veprave”, tha Dodge për KultPlus.

Po ashtu dhe çelisti kosovar, Antonio Gashi thotë se përkundër interpretimit në një sallë të ftohtë, kënaqësia më e madhe mbrëmë i erdhi nga atmosfera dhe emocionet që morën nga pubiku.

“Edhe pse në këto kushte të ftohta prapë arritëm ta bëjmë një atmosferë të këndshme për adhuruesit e muzikës klasike në Prishtinë. Megjithëse provat dhe festivali kanë një kohë shumë të shkurtër për përgatitje, përkundër kësaj u munduam që ta sjellim një program shumë të mirë. Sonte e arritëm një punë shumë të mirë së bashku me instrumentistin prej Greqisë dhe Gjermanisë dhe gjithashtu edhe studentët dhe kolegët e mi nga Prishtina, kjo duke qenë se publiku ishte shumë i kënaqur. Koncepti i programit ishte nga Sihana Badivuku në konsultim edhe me neve, kjo ishte një kohë relativisht të shkurtër duke qenë se duhej kombinuar edhe ansamblet e ndryshme. Megjithatë ngrohtësia e publikut që nuk e braktisi sallën ishte emocionuese për neve”, tregoi Gashi për KultPlus.

Vjosa Berisha – Abdullahu, e cila i prin gjeneratës së parë të studenteve të diplomuar në Universitetin e Prishtinës, në degën e violençelos, duke qenë studentja e parë e diplomuar në këtë degë. Bashkëpunimin e kësaj mbrëmje me instrumentistë të njohur ajo e quan si një privilegj dhe bashkëpunim të suksesshëm.

“KamerFesti gjithmonë sjellë risi dhe është një festival që na bënë të ndihemi mirë edhe kur luajmë edhe kur dëgjojmë në të por sidomos me qenë e rrethuar më këta violençelist të mëdhenj siç kemi pasur rastin sonte të interpretojmë së bashku me Frankun dhe Miltiades është një kënaqësi dhe privilegj i madh. Përkundër që ishte shumë ftohtë ne së bashku përmes këtij bashkëpunimi jemi munduar që ta sjellim më të mirën e mundshme për publikun”, tha Abdullahu.

Nesër ky festival do të vazhdoj me koncertin e dhjetë në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë ku do të sjellë pianistin Yesim Gokalp nga Turqia së bashku me Filharmoninë e Kosovës e që do të interpretojnë veprat e Mozartit, Bordinit dhe të Tchaikovskit. G.H/ KultPlus.com

Të ngjajshme