‘Himara International Music Festival’ në Kishën e Gjithë Shenjtorëve

12 Gusht, 2022 - 8:00 pm

Është përmbyllur në Himarë festivali “Himara International Music Festival”, i cili këtë vit kishte edicionin e tij të parë.

Gjithsej ishin pesë koncerte, njëmbëdhjetë artistë nga Shqipëria, Franca, Gjermania, Japonia, Kuba dhe muzika më e bukur klasike, tango, jazz e kontemporane.

Ky festival i dha jetë fshatit Himarë, duke u zhvilluar në Kishën e Gjithë Shenjtorëve, monument i trashëgimisë kulturore.

Koncerti i fundit u zhvillua mbrëmë, nga një muzikante sensacionale Ana Carla Maza, e cila e kishte vendosur Himarën si pjesë të turit të saj europian ku prezanton albumin Bahia. Një tjetër koncert me vlera ishte ai i pianistit gjerman Matthias Kirschnereit, pianist i nivelit ndërkombëtar i cili performoi edhe vepra të padëgjuara të repertorit pianistik të kompozitorëve Clementi, Beethoven dhe Ginastera. Në festival kanë marrë pjesë edhe artistë shqiptarë si pianistët Rea Veizi dhe Endri Nini. Rea Veizi interpretoi me violinisten Loanh Mirande ndërsa pianisti Endri Nini, ishte pjesë e koncertit me kuartetin e suksesshëm Berlin-Tokyo./ atsh/ KultPlus.com

Të ngjajshme