9 Gusht, 2025 - 12:30 pm
Nga 21 deri më 28 gusht 2025, Himara do të kthehet në një skenë të gjallë muzikore, duke mirëpritur artistë të njohur nga mbarë bota për edicionin e saj të radhës të “Himara International Music Festival”. Ky festival, i lindur si një projekt muzikor për të bashkuar njerëzit rreth pasionit të përbashkët për muzikën, ofron një program të pasur dhe të larmishëm që përfshin zhanre si muzika klasike, tango, jazz dhe chanson.
Që nga debutimi i tij në vitin 2022, festivali ka sjellë në Himarë emra të jashtëzakonshëm nga Shqipëria, Gjermania, Franca, Sllovenia, Izraeli, Japonia dhe Kuba. Magjia ndodh në një hapësirë intime, midis shtëpive karakteristike të vjetra dhe Kishës së Gjithë Shenjtorëve në Himarë-fshat, ku tingujt e muzikës ndërthuren natyrshëm me atmosferën historike dhe peizazhin bregdetar, përcjellë KultPlus.
Me mbështetjen e një ekipi të pasionuar e të përkushtuar, “Himara International Music Festival” synon të rritet vit pas viti, duke promovuar jo vetëm trashëgiminë kulturore shqiptare, por edhe traditat muzikore ndërkombëtare që e pasurojnë atë. Qëllimi është të krijohet një pikëtakim i përvitshëm ku muzika dhe kultura bëhen ura lidhëse mes artistëve dhe publikut, mes brezave dhe vendeve të ndryshme.
Ky edicion premton netë të paharrueshme, ku tingujt e botës bashkohen në një skenë të vetme, duke i dhuruar Himarës dhe vizitorëve të saj një përvojë të rrallë artistike dhe shpirtërore./KultPlus.com