Ikona britanike e xhazit, Dame Cleo Laine, ndërron jetë në moshën 97-vjeçare

25 Korrik, 2025 - 6:00 pm

Këngëtarja legjendare britanike e xhazit, Dame Cleo Laine, e njohur për diapazonin e saj të jashtëzakonshëm vokal dhe karrierën artistike, ka ndërruar jetë në moshën 97-vjeçare.

Gjatë një karriere të gjatë që nisi në vitet 1950, Laine u bë këngëtarja e parë britanike që fitoi një çmim Grammy në kategorinë e xhazit. Ajo performoi me emra të mëdhenj të muzikës si Ray Charles dhe Frank Sinatra, por bashkëpunimi i saj më i rëndësishëm ishte me bashkëshortin, kompozitorin dhe muzikantin John Dankworth, me të cilin themeloi edhe qendrën artistike, “The Stables në Buckinghamshire”, transmeton KultPlus.

Në një deklaratë, “The Stables” u shpreh: “Jemi thellësisht të trishtuar për lajmin e ndarjes nga jeta të një prej themeluesve dhe Presidentes së Përjetshme, Dame Cleo Laine.”

Laine, e lindur si Clementina Dinah Campbell më 28 tetor 1927 në Southall, Middlesex, ishte vajza e një veterani xhamajkan të Luftës së Parë Botërore dhe e një fermereje nga Swindon. Ajo filloi të këndonte që në moshën 3-vjeçare dhe u tërhoq nga shkolla në moshën 14-vjeçare për të punuar, ndërsa ëndërronte një karrierë në skenë.

Në vitin 1951, pas shumë refuzimesh, mori një audicion me grupin Johnny Dankworth Seven. Pas performancës së saj, trompisti Jimmy Deuchar u shpreh: “Ajo i ka të gjitha.” Pikërisht në atë moment, nisi rruga drejt një karriere të jashtëzakonshme.

Me një vokal të jashtëzakonshëm dhe aftësinë për të interpretuar gjithçka, nga Schoenberg deri te këngët satirike të Spike Milligan, Cleo Laine u bë një nga zërat më të njohur të Britanisë. Një kritik dikur shkroi se “ajo është një nga dy kontributet më të mëdha të Britanisë në xhaz, tjetri është xhini.”

Në vitin 1983 fitoi çmimin Grammy për regjistrimin live në Carnegie Hall, ndërsa gjatë viteve mori disa nominime të tjera si në xhaz ashtu edhe në muzikën klasike. Ajo u nderua me titullin OBE në vitin 1979 dhe u shpall Dame në vitin 1997, një titull që, siç u shpreh vetë, e pranoi “për xhazin”.

Pas vdekjes së John Dankworth në vitin 2010, vetëm pak orë para një koncerti për 40-vjetorin e The Stables, Dame Cleo vazhdoi të performonte, shpesh në skenë me fëmijët e saj, Jacqui dhe Alec, të dy muzikantë.

Edhe në të nëntëdhjetat e saj, ajo nuk u tërhoq plotësisht nga skena. “Dua të vazhdoj derisa zëri të më dridhet,” pati thënë. “Kënga është ajo që më mban gjallë, në të vërtetë.”

Dame Cleo Laine do të kujtohet si një artiste e rrallë që tejkaloi kufijtë e zhanrit dhe frymëzoi breza të tërë me talentin, pasionin dhe përkushtimin e saj ndaj artit./KultPlus.com

Të ngjajshme