Ilire Avdiu përfaqëson Kosovën në Bullgari

10 Shtator, 2018 - 6:04 pm

Klarinetisja Ilire Avdiu ditët e fundit ka përfaqësuar shtetin tonë në Bullgari, duke mbajtur Koncerte në Jazz Bar në Sofia si dhe International Jazz Festival në Pleven, përcjellë KultPlus.

Ajo ka interpretuar albumin e saj “A night in Prishtina” të lansuar dy vite më parë si dhe disa pjesë të reja muzikore me anë të së cilave ka paralajmëruar albumin e saj të dytë, i cili do të publikohet këtë vit.

Ajo ishte e ftuar poashtu në intervistën e Jazz FM Radio të Bullgarisë si dhe në Radion nacionale të Plevenit.

“Jam befasuar me mikpritjen e njerëzve të cilët kanë reaguar në mënyrë aq pozitive ndaj muzikës që kemi luajtur saqë edhe në Kosovë ende po më përcjellë ajo energji pozitive plot vullnet. E kam ndier vetën vërtetë të respektuar dhe të përkrahur. Falënderoj shumë organizatorët dhe të gjithë publikun për këtë eksperience shumë të bukur”, është shprehur Ilirja për KultPlus.

Këto evente janë iniciuar nga organizata joqeveritare “Balkan Ways To Friendship”.
Instrumentistët që kanë bashkëpunuar kanë dhënë një profesionalizëm jashtëzakonisht të përgjegjshëm, duke i dhënë muzikës stilin e duhur që ajo kërkonte.
Instrumentistët kanë qenë të vendas si: Stanislav Arabadzhiev në piano, Mihail Ivanov në Bas Kitarë dhe Stefan Goranov në Bateri.

Si mysafir special i këtij kuarteti në Sofia Jazz Bar ka qenë kavallisti Zhivko Vasilev.

Si në Sofia ashtu edhe në Pleven Ilire Avdiu ka pasur një sukses të padiskutueshëm.

Ajo do të ketë edhe tjera evente të tilla, në të cilat do t’a përfaqësoj vendin tonë me krenari në mënyrën e saj artistike./KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme