Impresione inspiruese nga koncerti “Natë me zëra lirik”

20 Nëntor, 2021 - 9:16 pm

Mbrëmjen e së mërkurës, më 17 nëntor 2021, në sallën kamertale të Filharmonisë në Shkup, në Maqedoninë e Veriut, u mbajt koncert me karakter kamertal, i titulluar “Natë me zëra lirik” – koncert ky i cili në fokus të tij kishte interpretimin e veprave vokale nga krijimtaria e kompozitorëve botëror, e duke mos i lënë anash edhe ato të kompozitorëve shqiptar.

Ky koncert paraqet një gërshetim shumë pozitiv dhe inkurajues në aspektin e mënyrës se si ështe konceptuar – një bashkëpunim mes instrumentistëve dhe solistëve lirik të dy shteteve fqinje, Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut. “Natë me zëra lirik” shpalosi para publikut të pranishëm, zëra shumë të veçantë të cilët momentalisht janë ndër solistët më aktivë në skenën muzikore në Kosovë dhe në Maqedoninë e Veriut – sopranot Arta Jashari dhe Zana Abazi Ramadani, si dhe dy tenorët e rinj: Ismet Vejseli dhe Shinasi Ramadan. Bashkëbisedues në interpretimin e literaturës vokale të përzgjedhur ishte orkestra harkore e sapo formuar “Tadenus” nën udhëheqjen e dirigjentit dhe kompozitorit kosovar, Hajrullah Syla – i cili është një emër i njohur jo vetëm për publikun kosovar, por edhe për atë të shtetit tonë, me numrin e shumtë të koncerteve që ka paraqitur me korin e Filharmonisë së Kosovës, ndër to pjesëmarrja në festivalin “Vera e Ohrit 2021”, si dhe koncertet e rregullta të korit të Filharmonisë të paraqitura edhe në Shkup.

Krijimtaria vokale, që u interpretua në këtë koncert, paraqet ndërthurrjen e një programi të begatshëm artistik, i cili mundësoi një udhëtim të larmishëm nëpër epoka, duke filluar nga ajo e barokut e deri tek ajo e krijuar në dekadën e kaluar të këtij shekulli. Përzgjedhje të këtij koncerti ishin veprat e kompozitorëve, si: G. F. Händel, G. Donizzetti, H. Wolf, P. Mascagni, F. Lehár, krijimtaria e të cilëve është me vlera të larta artistike, si nga pikëpamja muzikore, po ashtu edhe në formimin e literaturës vokale nga aspekti estetik dhe psikologjik. Njëkohësisht paraqet edhe një përzierje të zhanrit me vendosjen e një kënge nga Sh. Harnick dhe J. Bock në program. Nga ana tjetër kompozitorët shqiptar, veprat e të cilëve ishin përzgjedhur për këtë koncert, janë: Shime Deshpali, Avni Mula, Gjergj Kaçinari, Vasil S. Tole.

Koncerti i së mërkurës mbrëma filloi me ngjitjen në skenë të tenorit Ismet Vejseli, i cili në fillim interpretoi dy arie nga kompozitori i periudhës së barokut, G. F. Händel, “Tuo drudo ѐ mio rivale“ nga opera Rodelinda, Regina de’ Longobardi, si dhe “Every valley shall be exalted“ nga oratori Messiah. Vejseli i nxorri në pah të gjitha elementet e këndimit virtuoz që kërkojnë këto arie, me formim të saktë të mendimit muzikor, dhe elementet e tij. Paraqitja e tij solistike në skenë vijoi edhe me interpretimin e këngës së vjetër shqiptare nga Shime Deshpali, „Dashnor t’u bana“, me arranzhim për këtë formacion të orkestrës kamertale nga Edon Ramadani, si dhe të këngës „Asaman“ e kompozuar në origjinal për zë lirik dhe piano nga kompozitori Vasil S. Tole, dhe me aranzhim, për këtë rast, nga Hajrullah Syla. Interpretimi i këtyre këngëve duke pasur parasysh përmbajtjen delikate të tyre krijoi një atmosferë intime, meditative, dhe me një artikulim bisedor jo vetëm mes solistit dhe dirigjentit e orkestrës, por edhe me publikun e pranishëm.

Sopranoja kosovare Arta Jashari, e cila karakterizohet me një timbër markant, në atë mbrëmje solli arien e Santuzzës, “Voi lo sapete, o mamma“ nga opera Cavalleria Rusticana nga P. Mascagni, si dhe romancën „Agimet Shqiptare“ nga kompozitori shqiptarë Avni Mula, me aranzhim të Hajrullah Sylës për zë dhe orkestër harkore. Sopranoja Jashari paraqiti një interpretim të sofistikuar, në aspektin e zhvillimit të frazave dhe në arritjen kulminante të tyre me një dinamikë te theksuar ngritëse, duke krijuar kështu një peizazh vokal me sharm joshës nëpërmjet saktësisë së tingullit dhe stilit.

Pjesë e skenës së koncertit “Natë me zëra lirik” ishte edhe Zana Abazi Ramadani, sopranoja e cila në bagazhin e saj koncertal ka numër të madh të paraqitjeve skenike, solistike si në llojin e recitaleve poashtu edhe në muzikën vokalo-skenike me role nga figura të rëndësishme të botës së operas. Ajo për këtë rast kishte përzgjedhur arien e Lindës, “O luce di quest’anima“ prej operës Linda di Chamounix, nga kompozitori italian G. Donizzetti. Nga krijimtaria e kompozitorëve shqiptar, sopranoja Abazi Ramadani, solli interpretimin e këngës të Gjergj Kaçinarit, „Vet ke mbet“, në aranzhim dhe me përcjellje në piano të Edon Ramadanit. Intepretimi i sopranos Zana Abazi Ramadani mund të përshkruhet si i pajisur me një ndjenjë të rafinuar, me elegancë estetike, dhe me një temparament e pasion magjepsës, duke portetizuar me një simetri dhe mirëmendim të gjitha vlerat estetiko-muzikore të veprave.

Tenori Shinasi Ramadan, që është pjesë e gjeneratës më të re të zërave lirik në Maqedoninë e Veriut, solli nje laramani ndoshta më kontrastuese në aspekt të programit të përzgjedhur, duke paraqitur në skenë këngën „If i were a rich man“ nga kompozitorët Sheldon Harnick dhe Jerry Bock – këngë e cila është pjesë e muzikëlit Fiddler on the Roof, dhe si e tillë paraqet në strukturën e saj të brendshme një ndërthurje elementesh vallëzimi në ndërtimin e vijës melodike dhe pjesë recitative në llojin e vet. Tenori Shinasi Ramadan këto elemente i solli me një energji karizmatike. Në kontrast me këngën e parë që solli tenori Ramadan, kënga e dytë paraqet një lied gjerman, „Verborgenheit“ me formë të rregullt trepjesore nga kompozitori H. Wolf – solo këngë e cila u paraqit me një interpetim inspirues dhe me estetikë melodike. Që të dyja këngët ishin aranzhim i Angel Spiroski-t për zë dhe orkestër harqesh.

Pjesë e programit të përzgjedhur ishin dhe dy duetet, mes Ismet Vejselit dhe Shinasi Ramadan, me interpretimin e barkarolës tradicionale napolitane, „Santa Lucia“,me përshtatje për orkestër harqesh për këtë formacion nga Behar Veseli. Si dhe ai mes Zana Abazi Ramadani dhe Ismet Vejseli, të cilët sollën duetin e famshëm “Lippen Schweigen“ prej operës Die lustige Witwe, nga kompozitori Franz Lehár – duet që mund të përshkruhet si momenti më kulminant i koncertit.

Koncertin e së mërkurës mbrëma, orkestra harkore “Tadenus” së bashku me dirigjentin Syla e sollën me një bisedim të ndërsjelltë me solistët, i cili është rezultat i projektimit dhe vizionit global të veprave nga dirigjenti Syla.

Duke pasur parasysh faktin që orkestra e re “Tadenus” në masë të madhe nga aspekti i anëtarëve të saj pason si fryt i punës tashmë më shumë se një dekadëshe të shkollës së mesme të muzikës në Shkup, paraleles në gjuhën shqipe, ky fakt gëzon dhe është për t’u mbështetur. Ndër elementet pozitive është entuziazmi dhe energjia e tyre për bashkëpunim ndërmjet intepretuesve të rinj në moshë, të sapodiplomuar, studentë, por edhe atyre me eksperiencë disa vjeçare, që tentojnë vazhdimisht të jenë pjesë e jetës kulturore muzikore, të paktën momentalisht të koncentruar në Shkup.

“Natë me zëra lirik” i ofroi publikut artdashës mundësinë për ndjekjen e një koncerti që në vetvete ka një peshë të lartë në aspektin shoqëror dhe kulturor. Koncertet e këtij lloji meritojnë mbështetje më të madhe nga mediumet dhe nga publiku i gjërë, me çka do të shpejtohej hapi për afirmimin e interpretuesve të rinj, orkestrës së sapoformuar, si dhe solistëve fqinjë njohje më të gjerë publike. Në fund urojmë që koncertet e këtij lloji, dhe të tjerë të ngjajshëm, të kenë jetëgjatësi në skenën muzikore!

Shkruan: Nora Bajrami

Studente në departamentin e muzikologjisë, në Fakultetin e artit muzikor – Shkup, pranë Universiteti “Shën Kirili dhe Metodij” – Shkup.

Të ngjajshme