займ на карту онлайн потребительский кредит

Interpretimi i pianistit Gottlieb Wallisch mbërtheu audiencën prishtinase (FOTO)

10 Prill, 2018 - 1:49 pm

Për tri net radhazi, piano e vendosur në Amfiteatrin e Bibliotekës Universitare është bërë një instrument, nga i cili po nxjerrin tinguj pianist të njohur nga vende të ndryshme të botës. Kjo pasi që Chopin Piano Fest është bërë një adresë e depërtimit të lojës së tyre për publikun e Prishtinës. Për ta shënuar natën e tretë, të edicionit të nëntë të këtij festivali, rrugën drejt Kosovës e kishte marrë një pianist tjetër nga Austria.

Gili Hoxhaj

Piano e vendosur në qendër të skenës së Amfiteatrit të Bibliotekës Universitare, kësaj herë po mirëpriste lojën e pianistit nga Austria, Gottlieb Wallisch. Vepra të kompozitorëve të njohur si: Haydn, Liszt, Brahms e Schubert erdhën mbrëmë përmes lëvizjeve të duarve të këtij pianisti. Pozicionimi i tij pranë pianos, e loja mbi tastet e saj dëshmon për profesionalizmin e këtij pianisti që numëronte mjaft koncerte. Wallisch është një nga përfaqësuesit kryesor të brezit të ri të artistëve austriakë. Virtuoziteti dhe indivualiteti sovran janë shenjat dalluese të lojës së tij. Ai gjatë karrierës së tij pianistike, numëron jo dhe pak çmime ndërkombëtare.

Në sallën ku po mbahej koncerti, përkushtimi i pianistit po përcillej me një përqendrim maksimal nga të pranishmit që po e shijonin çdo tingull të lojës së tij. Loja kishte një ritëm më të ngadaltë, e herë shkonte duke u shpejtuar, duke e shtuar kështu dukshëm intensitetin e lëvizjeve të duarve të pianistit nga Austria. Qëndrimi për më shumë se një orë pranë pianos, e interpretimi i veprave të tjera, bëri që mbrëmja e tij koncertale të kulmojë në interpretimin e veprave të Schubert-it “Allgretoo in c minor. D 915 dhe tri pjesë të “Drei Klaveirstucke op. Posth.,D.946”. Kjo edhe si rezultat e përjetimit që ka pianisti ndaj këtij veprave të kompozitorit.

“Schubert është një nga autorët që unë e admiroj çdo ditë e më shumë, sa herë që e luaj, e dua dhe më shumë. Kjo është edhe arsyeja përse e luajta në pjesën e dytë të koncertit”, tha Wallisch për KultPlus.
Veprat që ai i solli sonte, tha se i ngjajnë më shumë një programi austro-hungarez, për shkak se flasin për historinë e popullit të tij. Këta autorë kanë lidhje me Austro-Hungarinë për shkak se të gjithë kanë kaluar kohë në këto vende dhe kjo ka ndikuar edhe te ata.

Koncerti i tij i mbrëmshëm për pianist Wallisch ishte i treti me radhë pranë publikut të Kosovës, për herë të parë kishte ardhur në vitin 2010, për t’u kthyer pas katër viteve në vitin 2014 dhe përsëri mbrëmë, po ashtu pas katër viteve. Ai tha se është një kënaqësi e jashtëzakonshme që të kthehet përsëri këtu dhe të jetë pjesë e Chopin Piano Fest Prishtina.

“Unë isha shumë i lumtur kur e mora ftesën dhe mendoj se i gjithë festivali është i mrekullueshëm dhe kjo skenë është e duhura për një festival të tillë. Jam shumë i lumtur edhe për faktin se audienca është shumë entuziaste, po ashtu ishin shumë të qetë gjatë interpretimit që tregon se ata janë duke dëgjuar me shumë koncentrim”, tha tutje pianisti Gottlieb Wallisch.

Në mesin e të pranishmëve që kishin ardhur ta ndjekin këtë koncert, ishte edhe pianistja e njohur nga Kosova, Ardita Statovci. Pas duartrokitjeve të koncertit, e bisedave me të pranishmit e pianistet e rinj, ajo ndau me KultPlus disa përshtypje për këtë koncert. Ajo tha se kjo ishte një mbrëmje shumë e bukur dhe se Gottlieb Wallisch është një pianist i shquar, ndërsa shtoi se ajo që i bëri përshtypje është shkolla e tij dhe mënyra e të menduarit që përfaqëson shkollën pianistike austriake.

“Me Haydn dhe Schubertin kishte prezantimin e drejtpërdrejtë të shkollës austriake, të klasikes vjeneze me Haydn-in dhe pastaj me Schubertin, menjëherë fillimin e Romantizmit. Për mendimin tim, me Schubertin u arrit kulminacioni i mbrëmjes, duke i nxjerrë në pah të gjitha karakteret që Schuberti i vë në pjesët e fundit D.946”, tha pianistja Ardita Statovci për KultPlus.

Ajo tutje tha se ndihet e impresionuar edhe nga reagimi i publikut që shpërfaqi një vëmendje të jashtëzakonshme ndaj lojës së këtij pianisti. “E mrekullueshme ishte edhe që kishim një publik shumë të qetë dhe shumë motivues, ishte një mbrëmje shpërblyese edhe për pianistin edhe për publikun. Duke ju falënderuar gjithmonë Chopin Piano Fest-it që na sjellë gjithmonë këso mbrëmjesh kaq të bukura, siç thuhet se muzika është ajo që e fisnikëron shpirtin”, u shpreh Statovci për KultPlus.

Sonte në kuadër të Festivalit Chopin Piano do të interpretojnë duo nga Kroacia, Lovre Marusic dhe Latica Anic. Mbrëmja do të filloi nga ora 20:00, në Amfiteatrin e Bibliotekës Universitare./ KultPlus.com

Të ngjajshme