Inva Mula kujton për datëlindje nënën e saj, Nina Mulën

23 Nëntor, 2021 - 5:30 pm

SKENA QIELL I HAPUR

(Akrostish)

ARTISTES SE MADHE NINA MULA

Nëpër tinguj kërkuat shpirtin e njeriut, e gjetët.
Ishit në pranverë moshe.
N’atë stinë dielli i butë i zërit tuaj,
Aromën e luleve kishte mbledhur.

M’u duk skena qiell,që hap krahët.
U ngritën mijëra zogj aty…
Lashë shpirtin tim të hedhur në kët’ kartë,
Aty çdo fjalë, lule do desha të ish për ju.

Tiranë, 7 janar 1973

(Shkruar menjëherë pas shfaqjes së operës “Traviata” të Xh. Verdit, ku artistja luajti rolin e Violetës.)

Me këto fjalë Inva Mula kujton në ditën e lindjes të ëmën, sopranon e njohur Nina Mula. E lindur më 23 nëntor të vitit 1931 në Izhevsk në Rusi, pas studimeve në Konservatorin P.I.Tchaikovsky në Moskë ku u njoh me studentin shqiptar Avni Mula, ajo do të udhëtonte drejt Shqipërisë që u bë atdheu i saj i dytë.

Në Tiranë ajo do të vinte në vitin 1957 dhe shumë shpejt do të emërohej soliste pranë TKOB-it në Tiranë, deri në vitin 1976. Prej vitit 1965 punoi si pedagoge e jashtme pranë Institutit të Lartë të Arteve, duke kaluar nëpër duar emrat më në zë të operistikes shqiptare. Gjatë aktivitetit të saj në TOB ka realizuar me shumë sukses një numër të madh rolesh kryesorë nga operat e kompozitorëve shqiptarë dhe nga literaturë botërore, po gjithashtu edhe një sërë koncertesh me një repertor të pasur dhe të larmishëm si brenda vendit, ashtu edhe jashtë Shqipërisë, si në Çekosllovaki, Rusi, Lituani, Ukrainë, Letoni etj.

Disa nga rolet janë ai i Rosinës në operën “Il Barbiere di Seviglia”, 1958, Norina në operën “Don Pasquale”, 1959, Drita në operën “Pranvera”, 1960, Tatjana në operën “Eugenji Onjegin”, 1961 Olimbia, opera “Lulja e Kujtimit”, 1961, Susana, opera “Le nozze di Figaro”, 1962, Michaela, opera “Carmen”, 1962, Leila tek “Peshkatarët e Perlave”, 1964, Violeta tek “La Traviata”, 1964 dhe 1972, Neda tek “Pagliacci”, 1964, Borëbardha në operën “Borëbardha” 1964, Gilda tek verdiania “Rigoletto” 1964, Mrika në operën “Mrika”, Mimi në operën “La Boheme” 1971, Donika tek “Skënderbeu”, 1968 etj.

Për aktivitetin e saj Nina Mula është nderuar me shumë çmime, medalje e tituj, ndër të cilët me Urdhrin “Naim Frashëri” të klasit të II, titullin “Artiste e merituar”, titullin “Mjeshtër i madh i punës”. Nina Mula do të kujtohet gjithmonë për kontributin e saj në operan shqiptare. / KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme