Inva Mula: Në vitet e 70-ta, gra elegante kemi parë vetëm nga ekrani, Nexhmije Pagarusha ishte e tillë

7 Maj, 2023 - 10:07 am

Në intervistën e mëhershme të dhënë për KultPlus, Inva Mula tregonte për takimin e parë me Nexhmije Pagarushën, dhe aura e kësaj gruaje e ka përcjellë pothuajse gjatë gjithë jetës.

“Isha e vogël, në vitet e 70-ta kishte ardhur Nexhmije Pagarusha në Shqipëri, dhe ajo në atë kohë u shoqërua nga dy prindërit e mi”, tregon Inva Mula, e cila këtë takim e shpjegon sikur të ishte një përrallë, pasi që, përpos që e shijoi performancën e saj në skenë, po në atë kohë qëndroi afër asaj gruaje që ishte plot bukuri dhe elegancë.

Bukurinë, elegancën, interpretimin dhe aurën e Zonjës Pagarusha i shpjegon me shumë emocion, që sipas saj, atë emocion nuk e ka përjetuar nga asnjë grua tjetër.

“Erdhi në vitet e 70-ta në Shqipëri, dhe e shoqëruar edhe nga prindërit e mi shkuam në një shfaqje baleti, mbaj në mend se Nexhmije Pagarusha u ul në të njëjtin rresht ku isha unë, nuk e harroj kurrë atë emocion, u ul afër meje një grua e bukur, një grua elegante, dhe më befasoi shumë në atë Shqipëri të zymtë të viteve të 70-ta, ne jo që kishim parë një grua të tillë, por një elegancë si të Nexhmijes e kishim parë vetëm nga ekrani”, tregon Inva Mula për praninë e Nexhmije Pagarushës.

“Kjo ishte Nexhmija, gruaja që më dha goditjen me elegancën e saj, që nuk më ka ndodhur me asnjë grua tjetër”, tregon Inva Mula.

Por eleganca dhe bukuria e Nexhmije Pagarushës do të forcohej një mbrëmje më vonë, pas asaj të shfaqjes së baletit. Kishte ardhur koha që në mbrëmjen e radhës, Nexhmije Pagarusha të ngjitej në skenë dhe të paraqitej me një koncert recital.

“E mbaj në mend atë koncert, jo zëri, jo interpretimi, po aura, aura e saj më mbërtheu. Unë shoh Nexhmijen të dubluar nga një rreze që kishte përgjatë gjithë koncertit, unë i shikoja gjithë rrezet që i lëshonte, pra trupi i saj, qenia e saj ishte e mbushur dhe e rrethuar  me këtë aurë, që e kanë shumë pak artistë, dhe kjo është një ndër kujtimet më të bukura që kam për Nexhmijen”, ka kujtuar Inva Mula.

Artistja shqiptare Inva Mula, Nexhmije Pagarushën e vlerëson figurë artistike që do të mbetet në histori, njësoj si figurat historike. “Nexhmija do të jetë në piedestal të këtyre figurave, sepse tek ajo u grumbulluan elemente, të cilat vështirë mblidhen tok së bashku vetëm në një personalitet të fortë.

Duke e vlerësuar edhe vokalin dhe shtrirjen e saj, Inva Mula ka vlerësuar këngën “Baresha”, dhe duke iu referuar potencialit të saj artistik, Mula ka thënë se Nexhmije Pagarusha për kohën dhe rrethanat që veproi u bë ikonë.

“Ishte një figurë e kompletuar, me gjithë kompleksitetin që kishte, duhet kohë dhe studim për figurën e Nexhmije Pagarushës”, ka thënë Inva Mula./ KultPlus.com

Të ngjajshme