Jenny Berggren e grupit legjendar ‘Ace of Base’, atmosferë elektrizuese në Tiranë

18 Qershor, 2025 - 1:00 pm

Këngëtarja e grupit “Ace of Base”, Jenny Berggren elektrizoi mbrëmjen e djeshme artdashësit kryeqytetas me një koncert në sheshin “Skënderbej”.

Në koncertin e organizuar në kuadër të Javës Suedeze të Kulturës, Berggren performoi këngët e njohura të grupit “Ace of Base”, si “All that she wants”, “Don’t turn around”, Angel Eyes, Angel of Love, Beautiful Life, Change with the Light, si dhe disa këngë të repertorit të saj.

Qytetarët e pranishëm në shesh kënduan dhe kërcyen së bashku me këngëtaren Jenny Berggren nën ritmet e këngëve duke përjetuar nostalgjinë e viteve ‘90 ku këto këngë dëgjoheshin masivisht në vendin tonë.

Këngëtarja Berggren solli edhe disa këngë shqiptare, që u mirëpritën nga publiku.

“Është hera ime e parë në Shqipëri dhe kam dashur të vij prej kohësh, por më në fund jam këtu. Kam miq që janë shqiptarë dhe që janë përpjekur edhe të më mësojnë ndonjë fjalë shqip. Ju keni gjuhë shumë të bukur dhe vend të bukur”, tha Berggren për mediet para koncertit.

Me hitet legjendare që kanë lënë gjurmë brezash, Berggren solli një mbrëmje nostalgjie dhe feste pop nën qiellin e hapur të Tiranës.

Në koncert ishte i pranishëm edhe ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, Ambasadorja suedeze në vendin tonë Elsa Hastad, ambasadorja e Francësm Catherine Suard, etj.

Koncerti i këngëtares Jenny nga grupi legjendar “Ace of Base” është pjesë Javës Kulturore Suedeze në vendin tonë që vjen me aktivitete të ndryshme.

Java Kulturore Suedeze ka pjesë të saj muzikën, ekspozitat dhe aktivitete e tjera, ndërsa nis më 13 qershor. Prej datës 13 qershor e deri më 19 qershor, Shqipëria do të mikpresë kulturën e artin suedez./atsh/ KultPlus.com

Të ngjajshme