Jusuf dhe Bardhosh Gërvalla: Njeri ku je (VIDEO)

17 Janar, 2022 - 1:46 pm

I lindur në Pejë, Gërvalla ndërroi jetë në Gjermani në vitin 1982. Ai njihet si këngëtar dhe bashkë me Bardhosh Gërvallën na lanë disa melodi e këngë të cilat e bëjnë të pavdekshëm talentin dhe zërin e këtij njeriu.

E di fort mirë, se nuk do t’shkruaj rima,
kjo penë që pahir m’ka mbetur n’dorë,
shërbëtorët e djallit s’mund t’i quaj dasmorë,
po t’njëjtë do t’mbesin, këto vargje do t’i marrë fryma.

Sa m’përket mua pra, le të rrënohet,
Piramida e Keopsit,
le t’i ndërrojnë vendet Parisi e Moska,
le të vjellë plot vrer me vrull Vezuvi.

Le t’u bjerë pluhuri ligjeve të Njutn-it,
Lizës s’DaVinçit le t’i zbresë çmimi,
Me simfoninë e nëntë të Bethoven-it,
le t’merren xhelatët në gijotina.

E në pallate e larta t’ kulturës,
le t’ bredhin qentë, mos e teprova,
n’ ekuator le t’ rrëshqasë Antarktiku,
brenda një nate le t’ bashkohet Berlini.

Sikur për s’ dyti të lindej Sokrati,
do t’ia besonim një kope derrash,
i zhgënjyer do të ngiste pas qejfesh e shqerrash,
e dimë sa fort i donte i ngrati.

Pas tij Diogjeni me fener në dorë,
do të shëtiste duke reviduar,
mos emisionet propagandistike,
të dobëta sallamat i kanë ekspozuar./KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme