займ на карту онлайн потребительский кредит

Ka vdekur dirigjenti i njohur Milto Vako

10 Nëntor, 2020 - 1:46 pm

Ka vdekur sot dirigjenti i njohur shqiptar Milto Vako. Lajmi për vdekjen e tij është bërë i ditur nga Teatri Kombëtar i Operas dhe Baletit. Në një postim në mediat sociale, TKOB njofton se Vako, një nga emrat më të nderuar të artit shqiptar në fushën e dirigjimit koral, nuk është më në këtë botë.

Vako është autor i një seri përpunimesh e krijimesh origjinale korale, shumica e të cilave mbeten përfaqësuese në fondin e literaturës klasike korale shqiptare. Prej vitit 1990 ai ushtroi edhe detyrën si pedagog në Fakultetin e Muzikës së Universitetit të Arteve.

Njoftimi i plotë nga TKOB:

LAMTUMIRË – MJESHTRIT MILTO VAKO! Me hidhërim të thellë Teatri i Operas, Baletit dhe Ansambli Popullor njofton ndarjen nga jeta të mjeshtrit Milto Vako. Ai është një nga emrat e nderuar të artin shqiptar në fushën e dirigjimit koral. Mjeshtri u diplomua në Konservatorin “Cajkovski” në Moskë si dirigjent kori dhe u specializua më pas në Konservatorin e Parisit.  Aktiviteti artistik i tij nisi dekada më parë si mjeshtër i korit të Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore dhe më pas si dirigjent i  korit të Teatrit të Operas dhe Baletit.

Si drejtues i korit të AKVP, së bashku me trupat ai arriti suksese të cilat kanë mbetur në memorien e publikut brenda dhe jashtë vendit edhe sot, ndër të cilat do të veçonim midis të tjerash: fitues i “Gjerdanit të Artë” të AKVP në Dijon të Francës. Si mjeshtër kori i TOB përgatiti me profesionalizëm korin e TOB në vepra si “Mrika”, (1966), “Heroina”, (1967), “Skënderbeu”, (1968), etj. Është një ndër themeluesit e Konservatorit Shtetëror të Tiranës, ku së bashku me figura të tjera të njohura si Çesk Zadeja, Albert Paparisto, Hamide  Stringa, Mustafa Krantja, etj, i dhanë jetë shkollës së muzikës shqiptare.

Autor i një seri përpunimesh e krijimesh origjinale korale, shumica e të cilave mbeten përfaqësuese në fondin e literaturës klasike korale shqiptare. Prej vitit 1990ai ushtroi detyrën si pedagog në Fakultetin e Muzikës së Universitetit të Arteve. Në emër të drejtuesve dhe artistëve, TKOB shpreh ngushëllimet më të ndjera, familjes, bashkëpunëtorëve dhe miqve të shumtë të artistit të madh, Milto Vako. I përjetshëm qoftë kujtimi i tij!/ KultPlus.com

Të ngjajshme