Ka vdekur kompozitori Vinçenc Gjini

23 Shtator, 2022 - 9:00 am

Pedagogu i shquar dhe kompozitori me gamë të gjerë të krijimtarisë në muzikën klasike, Vinçenc Gjini, ka vdekur në moshën 88-vjeçare.

Gjini vdiq të enjten në Istër të Kroacisë ku jetonte prej vitit 1992.

Vinçenc Gjini lindur më 22 janar të vitit 1935 në Ferizaj, Kosovë. U diplomua për teori dhe pedagogji muzikore në Akademinë e Muzikës në Beograd; në Shkup studioi dhe u diplomua për kompozim. Punoi kryesisht si pedagog në SHLP-dega e muzikës dhe në Akademinë e Arteve (FA-dega e muzikës). Pavarësisht nga fillimet disi të vona krijuese, ai arriti të krijonte një numër të konsiderueshëm veprash të formave të ndryshme të muzikës serioze, midis të cilave bëjnë pjesë: tri simfonitë, Simfonieta, 10 kantatat (jo të mëdha), Sonata për violinë e piano, Variacionet për klarinetë e piano, cikli i vogël i këngëve solo Letrat, disa këngë korale, përpunime e stilizime. Faktura e veprave të tij simfonike është e qartë, me simetri dhe ekuilibër klasik, me harmoni neoromantike me përdorim të shpeshtë të bazës tonale modale dhe mjaft herë me tingëllim të melosit popullor shqiptar. Është gjithashtu autor i një numri të konsiderueshëm veprash të muzikës kishtare.

Varrimi i të ndjerit do të bëhet të shtunën, në orën 13:00, në varrezat në Krasica të Istrës së Kroacisë. / KultPlus.com

Të ngjajshme