“Kala Festival” ndez atmosferën në plazhet shqiptare

24 Qershor, 2018 - 5:00 pm

Jugu i Shqipërisë është duke përjetuar ditë dhe netë elektrizuese falë “Kala Festival”. Për herë të parë, bregdeti me bukuri mahnitëse i Dhërmiut, është duke pritur Festivalin e Parë Ndërkombëtar të Muzikës Elektronike në Shqipëri të quajtur “Kala”, i cili zhvillohet nga 20 deri më 27 qershor.

Ky festival, përveç atmosferës për adhuruesit e muzikës elektronike, është edhe një promovim i mirë për turizmin e Shqipërisë. Përgjatë tetë ditëve, në festival do të jenë të pranishëm “DJ” të famshëm anglezë, si Tom Misch, Roy Ayers, Todd Terje, The Black Madonna, Moodymann dhe shumë të tjerë.

Organizatorët e këtij festivali, paralajmëruan shumë surpriza, duke e përshkruar bregdetin e Shqipërisë në faqen zyrtare të festivalit, si një zonë të mahnitshme që duhet vizituar patjetër.

“Plazhe me rërë, ujëra kristal të qartë, mikpritje e madhe, ushqim i shkëlqyer dhe disa nga plazhet më të mira të Mesdheut”, thuhet në faqen zyrtare të festivalit.

Një tjetër qëllim i organizimit të këtij festivali në Shqipëri është edhe promovimi i turizmit dhe kulturës shqiptare në botë, ku gjatë ditëve të tij do të zhvillohen ekskursione ditore për të eksploruar mrekullitë natyrore të “Rivierës Shqiptare”.

Në ditët e fundit të festivalit do të ketë ekskursione të tilla si, rafting në Kanionet e Osumit. Organizatorët shpresojnë që të ftuarit të përjetojnë me të vërtetë bukurinë e vendit.

Në këtë festival marrin pjesë të rinj nga të gjitha vendet e rajonit, duke filluar nga Shqipëria, si vend mikpritës, Kosova, Maqedonia dhe Mali i Zi. Po ashtu në festival ka të rinj edhe nga Italia apo vende të tjera të Evropës./ ata

Të ngjajshme