Kënga ‘Si n’andërr’ shpallet fituese e festivalit ‘Luleborë’

1 Nëntor, 2021 - 9:05 am

Kënga “Si n’andërr” interpretuar nga Rezarta Smaja, kompozuar  nga Florent Boshnjaku dhe me tekst të Arjola Zadrimës u shpall fituese e edicionit të 6-të të festivalit “Luleborë”, mbajtur në në teatrin “Migjeni” të Shkodrës

Në këtë event që u zhvillua për dy net me radhë, u prezantuan 16 këngë të reja që u përzgjodhën mes 34 kompozimeve. Të gjitha artistët pjesëmarrës interpretuan këngët live dhe u shoqëruan nga orkestra e dirigjuar nga Jetmir Barbullushi, Glid Kraja dhe Ilir  Zoga.

Festivali u drejtua nga gazetari Enkel Demi e këngëtarja shkodrane Rosela Gjylbegu, e cila pasuroi mbrëmjen me interpretimin e dy këngëve të vjetra shkodrane.

Udhëheqësit artistik të festivalit ishin sërish dy emra të njohur kompozitorësh shkodranë, Shpëtim Saraçi e Markelian Kapedanin.

Artistja e madhe shkodrane, Justina Aliaj, e cila elektrizoi sallën, u nderua me çmimin e karrierës.

Juria e kryesuar nga maestro Zhani Ciko vlerësoi me çmimin e dytë duetin Saviana Vjerdha dhe Ademir Fresku më këngën “S’ka ma bukur”, ndërsa çmimin e tretë e fitoi kënga “Pa adresë” nga Jozefina Simoni.

Çmimin e veçantë “Simon Gjoni” si interpretuesi më i mirë e fitoi këngëtari Laorjan Ejlli./KultPlus.com

Të ngjajshme