Këngët e Qamilit të Vogël, melodi që nuk vdesin kurrë (VIDEO)

19 Maj, 2019 - 11:00 pm

Ai përhapi këngët tona popullore në çdo mes dhe në çdo rreth shoqëror. 

I lindur në vitin 1923 në Gjakovë, për vite me radhë Qamili i Vogël do të mbetej këngëtari i preferuar i trevave shqiptare.

Qamili i Vogël – Muhaxhiri, këngëtar i muzikës popullore qytetare të kënduar në Gjakovë, i frymëzuar që nga rinia me muzikën tiranase u kthye në Kosovë dhe themeloi së bashku me Ymer Rizën, Shoqërinë Kulturore Artistike.

Qamili i Vogël, ishte njëri ndër të parët që u kualifikua në profesionin e grafikës, në Shkollën teknike në Prishtinë, në vitin 1965. Krahas këngës punoi si tipomakinist në shtypshkronjën Rilindja deri sa u pensionua.

Në krijimtarinë e Qamilit të Vogël, zënë vend tri lloje të autorësisë së tij: këngë origjinale të krijuara me tekste e melodi vetanake, këngë në të cilat prezantohet vetëm si autor i versionit të melodisë dhe këngë në të cilat na prezantohet vetëm si autor i teksteve të tyre.

Me Grupin muzikor të Ymer Rizës , ishte edhe një këngëtar tjetër më i moshuar, Qamil Idriz Haxhija .

Qamil Muhaxhirin si fëmijë, kudo që shkonte nëpër ndeje e ahengje gjakovare , publiku e priste me një simpati dhe një admirim të madh. Kësisoj shkruan Demir Krasniqi në një studim mbi figurën e Qamilit të Vogël.

Mu aty lindi epiteti : “I VOGËL” , epitet ky që shumë shpejtë do të zëvendësojë mbiemrin e tij – MUHAXHIRI dhe ky mbiemër do ta përcjellë deri në vdekje Qamilin e Vogël – këngëtarin tonë të madh.

Qamili i Vogël i takoi plejadës së parë të këngëtarëve popullorë kosovarë të pasluftës , siç janë : Zyhra Mula, Meserete Çavolli, Mazllom Mejzini, Nexhmije Pagarusha, Ismet Peja, Hivzi Vokshi, Xhejlani Broçi, Adem Ejupi , Lilijana Çavolli, Muhamet Shala, Shahindere Bërlajolli, Qerimane Imami, Myrvete Fetahu, Gonxhe Gashi, Lajde Berisha, Behixhe Pakashtica , Anton Tomi , Gonxhe Manaku , Ismet Veseli, Rexhep Zajazi e shumë të tjerë. / KultPlus.com 

Të ngjajshme