Këngët lirike të Lola Gjokës në koncertin e Kopenhagës

10 Maj, 2022 - 9:30 pm

Pas realizimit me sukses në Stockholm të Suedisë, koncerti me këngët lirike të pianistes së hershme shqiptare Lola Aleksi Gjoka u mbajt më 7 maj edhe në Kopenhagë të Danimarkës.

Koncerti i radhës, në të vërtetë u mbajt në sallën e “Medborgerhus” të Herlevit që shtrihet në pjesën veriperëndimore të Kopenhagës. Salla ishte e mbushur me adhurues, në mesin e tyre edhe miq danezë e suedezë.

Tue Magnussen, gazetar, historian, profesor i Universitetit të Kopenhagës dhe mik e njohës i çështjes shqiptare ndjehej i nderuar dhe i kënaqur me të gjitha interpretimet.

Të gjitha këngët lirike ishin aranzhime artistike të regjistruara që moti nga Lola Gjoka kurse projekti voluminoz për realizimin e CD-eve dhe dy koncerteve, atij në Stockholm dhe këtij në Kopenhagë është realizuar nga maestro i muzikës artistike shqiptare Zhani Ciko.

Koncertet e shfaqura kësaj radhe në Skandinavi arritën të gjitha parametrat prezantuese artistike edhe në saje të interpretimeve të jashtëzakonshme të solistëve e instrumentisteve virtuozë. Shkëlqyen solistët Mariana Leka, Erinda Agolli e Feride Istogu Gillesberg soprano, Gerald Murrja tenor, Antonio Zefi bariton dhe dy instrumentistet me renome ndërkombëtare Ermira Lefort e Rudina Ciko piano.

Tenori danez Stig Fogh Andersen ka ndihmuar projektin e regjistrimit të albumit muzikor që tashmë është në qarkullim.

Në koncertin shqiptar të Kopenhagës patëm privilegjin të kishim në mesin tonë edhe vajzën e Lola Aleksit Gjokës – Juki Maria Rako që kishte ardhur enkas për koncertin nga Milano e Italisë, së bashku me dy vajzat e veta, pra me dy mbesat e Lolës së paharruar. /diasporashqiptare/ KultPlus.com

Të ngjajshme