Këngëtarja amerikane Chrysta Bell promovon albumin në Kosovë

27 Prill, 2019 - 9:30 am

Talenti, pasioni dhe sensualiteti i këngëtares Chrysta Bell, pushtuan skenën e Kino Lumbardhit në mbrëmjen e së premtes.

Muza e regjisorit David Lynch, interpretoi në Prizren me rastin e promovimit të albumit të saj të fundit, “Feels like love”, koncert që do ta veçojë këtë edicion të “Lumbardhit n’Behar”.

E njohur si këngëtare, kompozitore, tekstshkruese e aktore, Chrysta Bell solli energji të re në Kosovë.

Stili i saj i veçantë muzikor, që nuk mund të përkufizohet në një zhanër të vetëm, rezultoi në një koncert që u prit shumë mirë nga publiku kosovarë, ndërsa u quajt eksperiencë e veçantë nga artistja amerikane.

“Mendoj se muzika ime u përshtat shumë mirë me qytetin. Ndoshta po ndihem kështu, meqenëse sonte është edhe ditëlindja ime. Nuk e kemi ditur çfarë presim, por si performanca, edhe publiku ishte shumë energjik. U ndjeva sikur mes nesh po ndodhte një shkëmbim energjish. Erdhëm nga Teksasi pa e ditur çfarë na pret. Nuk dinim shumë për qytetin e Prizrenit, por kur erdhëm këtu, u ndjemë shumë të lidhur me njerëzit që takuam. Ishte eksperiencë shumë e bukur të shikosh publikun dhe të shohësh një reflektim të vetes nga e kaluara, të performosh dhe të shohësh se njerëzit që po të dëgjojnë, janë duke e ndjerë thellësisht muzikën tënde. Tani kam një lidhje shumë të mirë me këtë qytet dhe me Kosovën”, u shpreh Bell.

Muzika e pazakontë e Chrysta Bellit, fitoi interesimin dhe pëlqimin e publikut kosovar që u dallua me të rinj plot kureshtje për diçka më ndryshe.

“Në muzikën time ka elemente të muzikës pop, por ka edhe nën-zhanre tjera që janë rezultat i zhvillimit tim artistik në një botë avangarde, në të cilën jam zhytur tash e sa vjet”, tha ajo.

Përveç vokalit të saj të mrekullueshëm, performanca e këngëtares Bell u karakterizua me vallëzime plot sensualitet dhe sipas saj, e gjithë kjo është rezultat i eksperimentimeve të saj në gati të gjitha fushat e artit.

“Kur jam duke kënduar në skenë, çdo gjë që bëj, shpaloset në mënyrë natyrale. Unë këndoj me gjithë trupin tim dhe albumi im i fundit ka më shumë tinguj, nën të cilët mund të vallëzosh duke përfshirë edhe muzikën disko. Gjatë karrierës sime kam eksperimentuar shumë dhe çdo gjë që bëj në skenë, është paraqitje e ndjenjave të mia momentale. Jam munduar të krijoj koreografi, por prapë, çdo gjë më vjen natyrshëm”, thotë Bell.

Karriera e Chrysta Bellit nuk kufizohet vetëm në muzikë. Përveç krijimtarisë së saj muzikore e filmike, ajo njihet edhe si valltare e poete.

“Është e mrekullueshme, ndihem e shokuar për gjithçka që kam bërë deri tash dhe vazhdimisht më ofrohen mundësi të reja. Për aq kohë sa qëllimi im është suksesi, do të vazhdoj të punoj gjatë gjithë kohës. Ndihem sikur të gjitha përpjekjet e mia artistike e ushqejnë njëra-tjetrën.. aktrimi, muzika, vallëzimi, poezia, të gjitha janë pjesë e kësaj supe dhe shpresoj që do të jetë një supë e shijshme”, u shpreh ajo.

Por, çfarë e bëri Chrystan ta përfshijë Kosovën në turin “Feels like love”?

“Shumë shpesh na vijnë oferta nga agjentë të ndryshëm dhe nëse duken të pazakonta dhe misterioze, më interesojnë, sepse mendoj se i shton më shumë eksperiencë një turneu. Nuk kishim asnjë ide për Kosovën dhe që në momentin e parë që mbërrimë në qytetin e Prizrenit, pamë njerëz shumë të dashur, po ashtu shëtitëm nëpër disa rrugica çmendurisht të vogla e të ngushta. U mundova të marr të gjithë energjinë dhe eksperiencën, çka edhe më emocionoi shumë”, thotë Bell.

Edhe pse albumi i saj “Feels Like Love”, nuk ka as një muaj nga lansimi, Chrysta tashmë ka filluar punën për projektet e saj të reja.

“Për momentin jam duke punuar për videoklipet e albumit ‘Feels Like Love’ dhe menjëherë kam filluar të punoj për lansimin e këngëve të reja, nuk jemi duke u ndalur fare! Së bashku me bendin, jemi duke përjetuar një shpërthim kreativiteti që kur u bashkuam për këtë album”, tha Bell.

Me gjithë famën që gëzon, për një këngëtare si Chrysta, ngrohtësia që ofron publiku është një ndër gjërat më të rëndësishme për suksesin e një koncerti.

“Nuk e kam pritur këtë entuziazëm dhe ngrohtësi. Na ndodh të performojmë në një vend ku çdo gjë është e ftohtë. Ne gjithmonë japim 150% të vetes sonë në skenë, për çka edhe e dua shumë bendin tim. Asnjë nga ne nuk e nënvlerëson asnjë minutë të këtij procesi. Ne jetojmë për të performuar në skenë. Është shumë bukur kur shkon në një vend dhe e di se publiku të ka kërkuar me qëllim, të do në atë vend, dëshiron të të shohë duke performuar, të dëshiron sukses dhe dëshirojnë të kalojnë një natë dhe një kujtim të bukur. E ndiejmë këtë dhe kjo do të thotë shumë për performancën tonë. Të gjitha këto i gjetëm në Kosovë dhe kjo është diçka e madhe për ne”, shprehet ajo, shkruan albinfo.ch

Hapja e koncertit u shoqërua nga tingujt e muzikës së Blerta Kosovës, një artiste e re vendase, muzika e së cilës ngjason shumë më diskografinë e këngëtares Chrysta.

Këtë vit, sezoni pranveror muzikor “Lumbardhi n’Behar” filloi me muzikë më të veçantë e më të pazakontë, ndërsa nuk do të mbarojë me kaq.

Shumë shpejt, në kuadër të edicionit të dytë të këtij festivali do të performojnë edhe artistë e bende tjerë të njohur ndërkombëtarisht.

Qyteti i Prizrenit vazhdon të jetë një ndër vendet e preferuara për vizitorët dhe artistët e huaj.

Përveç “Lumbardhit n’Behar”, Prizrenin e pret një sezon i pasur me aktivitete kulturore e artistike./KultPlus.com

https://www.youtube.com/watch?v=uILHsBe_b0M

Të ngjajshme