Kenny Rogers, zëri që e solli muzikën country tek audienca e pop-it

24 Mars, 2020 - 9:30 am

Kenny Rogers, kantautori që ka luajtur rol të rëndësishëm në rritjen e audiencës së muzikës country në vitet ’70 dhe ’80, ka vdekur të premten në shtëpinë e tij në Sandy Springs të Georgias në ShBA. Ai ishte 81-vjecar.

Vdekja e tij është bërë e ditur nga publicisti i tij, Keith Hagan. Muzikanti i shquar, më 2018, ishte tërhequr nga skena për arsye shëndetësore. Duke kënduar me një zë të fuqishëm që ngjallte sinqeritet dhe ngrohtësi, ka shitur më shumë se 100 milionë incizime në karrierën e tij të shtirë në disa dekada. Ai ka pasur 21 hite në toplistë, përfshirë këngën “Lady” shkruar nga Lionel Richie dhe “Islands in the Stream” kompozuar nga “Bee Gees” dhe performuar nga Dolly Parton, që arriti në krye të toplistave.

Në kohën kur ndaloi së performuari, Rogers kishte më shumë se 50 këngë që ishin pjese e “Top 40” në kategorinë “country” dhe 20 që ishin po ashtu pjesë e “Top 40” në kategorinë “pop”. Popullariteti i tij kishte ardhur pjesërisht nga personaliteti i tij, pamja por gjithashtu edhe nga aftësia e tij për të përjetuar materialet e tij, të cilat, siç ka thënë ai, shpesh ishin të ndara në dy kategori: këngë për dashurinë, si “You Decorated My Life” dhe baladat narrative si “The Gambler” dhe “Lucille”.

“Të gjitha këngët të cilat i kam incizuar hyjnë në njërën nga dy kategoritë”, ka thënë ai në vitin 2012 në një intervistë me “NPR”.

“Njëra është një baladë e cila thotë fjalët që çdo burrë do të dëshironte që t’i thoshte e tjera i thotë fjalët që çdo grua do të dëshironte t’i dëgjonte. E të tjerat janë këngë që kanë histori me rëndësi sociale”. “’Reuben James’ ishte për një burrë me ngjyrë që ka rritur një fëmijë të bardhë”, ka vazhduar ai, duke iu referuar këngës së vitit 1969. “Coward of the Country” ishte për dhunimet.

“Ruby, Don’t Take Your Love to Town” ishte për një burrë që kthehej në shtëpi pas luftës. Rogers po ashtu incizoi me artistë “R&B” si James Ingram dhe Gladys Knight. Lidhja e tij më muzikën ishte shumë e natyrshme. Pasi që diplomoi në shkollë të mesme, ai luajti për trion e njohur të jazzit “Bobby Doyle Three”.

Në mesin e viteve ‘60 u bë pjesë e ansamblit “New Christy Minstrels”. Shumica e materialeve të Rogers ishin shkruar nga të tjerët. Dy përjashtime me nam ishin “Sweet Music Man” e shkruar vetëm nga Rogers dhe “Love or Something Like It”, të cilën e bashkëshkroi me pianistin Steve Glassmeyer. Ai kishte pasur edhe karrierë si aktor. Më e dukshme ishte paraqitja e tij në “The Gamler”, por u shfaq edhe në filmin e gjatë “Six Pack”. /KultPlus.com

Të ngjajshme