Kolona e përsosur zanore për kohën kur filmi na mungon

11 Korrik, 2020 - 6:00 pm

Nga: Ann Hornaday

Nëntë nota. Duhen veç nëntë nota të vogla për të më përlotur pavarësisht se ku jam kur i dëgjoj ato. Masat melankolike e lirike në hyrje të këngës për filmin e vitit 1988 “Cinema Paradiso” janë bërë një prej motiveve më të njohura në historinë e muzikës së filmit, që çastshëm përfton nostalgji, romancë, gjakim, pafajësi të humbur. Nga nëntë nota të thjeshta, një shkulm emocionesh të forta e të përziera.

Kënga për “Cinema Paradiso” është kompozuar nga Ennio Morricone, që vdiq të hënën në moshën 91-vjeçare. Dhe kjo nuk ishte madje as vepra e tij më e njohur. Në shtjellën e një karriere të arrirë, Morricone shkroi temën “Man With No Name” për “The Good, the Bad and the Ugly”, shoqërimin mjeshtëror orkestral e koral për “The Mission” dhe të përjetshmen sonike për “Days of Heaven”. Siç kishte shkruar në një përkujtim Adam Bernstein, Morricone “ishte i pamundur të kategorizohej. Portofolio i tij dukej se përfshinte çdo zhanër të kohës: komedinë, dramën, romancën, horrorin, satirën politike dhe epikën historike”.

Bernstein gjithashtu vuri re se Morricone “e shihte vetveten si partner i plotë në rrëfimin e tregimeve në ekran”. Dhe kjo e bënte atë të rrallë, jo vetëm si kompozitor, por aso – muzika e të cilit ishte aq e madhe, sa të krenoheshe me të përkrah aktorëve me emër dhe imazheve vizuale. Pyesni kompozitorët e filmave për punën e tyre dhe shumica do të thonë diçka diplomatike dhe modeste për praninë e tyre për të mbështetur vizionin e regjisorit; shumë do të shtojnë që, nëse jeni duke e vënë re vetëm muzikën, atëherë kjo nënkupton se kanë dështuar. Më e mira kolonë e filmit, thonë ata, është ajo që nuk tretet në prapavijë, por që as nuk qëndron asisoj sa për t’u dalluar prej botës estetike dhe ndjenjore të filmit, transmeton KOHA.

Audienca mund ta ndiejë kur drejtpeshimi është trandur – kur një vijë zanore tepër e theksuar tërheq më shumë vëmendje në vetvete sesa njerëzit në ekran apo kur na shtyn të qajmë e qeshim në çastin e duhur.

Morricone rrallë ka hedhur një hap të gabuar në kalibrimin e dendësisë, vëllimit, vijës rrëfimtare dhe thellësisë së ndjenjës për të sjellë në filma. Dhe, shpesh, ai sillte goxha shumë, duke krijuar aso kompozime që mund të ngrenë lart edhe më të butin spaghetti western apo film horror. “Orca” mund të jetë një film i harruar mbi një balenë të pamëshirshme vrastare, por tema e bukur e Morricones përkapi hidhërimin dhe zemrën e thyer që ysht kafshën në orvatje për t’u hakmarrë. /Koha.net /KultPlus.com

Të ngjajshme