Kompozitori Mendi Mengjiqi me sukses të dyfishtë në ndarjen e çmimeve në fushën e muzikës

21 Qershor, 2022 - 8:16 pm

Uranik Emini – Era Berisha

Theksimi i bukurisë, elegancës dhe ekuilibrit është pjesa kyçe e cila përjetohet përbrenda një vepre klasike që në thelb ka shumë larmi dhe kontrast. Me dinamikë të ndryshme, ton, tempo dhe timbër të veçantë janë krijuar edhe shumë vepra të mrekullueshme nga kompozitorët kosovarë që përgjatë viteve kanë sjell melodi me fraza të qarta e kadenca të theksuara mirë. Andaj, dhe për vitin 2021 është veçuar dhe vlerësuar suksesi tejet i lartë që ka arritur fusha e muzikës, shkruan KultPlus.

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit sot ka organizuar ceremoninë për ndarjen e çmimeve vjetore në fushën e muzikës, e cila është mbajtur në Kino Armatë.

Ishte vetë Orkestra Simfonike e Gjakovës që nën dirigjimin e bukur të Pëllumb Vulës nisi gjithë këtë ngjarje me një vijë melodike që rrëmbeu gjithë vëmendjen e të pranishmëve. Nën ndriçimin e errët të sallës, instrumentet u gjallëruan për të sjellë tinguj e melodi që në secilin moment thumbuan me timbrin e pastër që posedonin. Prezenca e secilit instrumentistë në skenë bëri që të vihej në pah akoma më shumë talenti i tyre në këtë fushë dhe sidomos dashuria për atë se çfarë ata mbanin në duart e tyre.

Pas duartrokitjeve të shumta, ishte aktori Basri Lushtaku ai i cili e moderoi këtë mbrëmje dhe fillimisht i uroi mirëseardhjen gjithë audiencës në ceremoninë e ndarjes së çmimeve të muzikës, çmime këto që sipas tij, u jepen personaliteteve të shquara për arritje profesionale, për ngritjen e vlerave dhe për kontributin e veçantë në avancimin e muzikës artistike në vend.

Pikërisht në këtë datë që përkon me Ditën Botërore të Muzikës, ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku ishte ai i cili doli për një fjalë rasti për të folur rreth rëndësisë dhe rolit të këtyre çmimeve.

“E nisëm Ditën e Muzikës me muzikë me Orkestrën Simfonike të Gjakovës. Natyrisht një ditë e rëndësishme ku shpërblehet mundi i përditshëm i atyre që bëjnë shumë dhe i japin shumë muzikës. Ne jemi një popull i muzikës dhe kjo nuk është vetëm një deklaratë por një lloj e dhëne pas disa vlerësimeve dhe kjo dëshmohet me përqindjen e popullsisë e cila në mënyrë aktive merret me muzikën, dhe kjo përqindje në Kosovë duhet të jetë goxha e lartë. Ne besojmë shumë se kemi cilësi të lartë në muzikë dhe jo vetëm në Kosovë por edhe në rajon e këtë e kemi dëshmuar shumë herë”, thotë ai.

Sipas tij, është e obligueshme që si institucione shtetërore, më të mirët të shpërblehen në formë të mirënjohjeve dhe në formë të një falënderimi.

Tutje është bërë e ditur se nominimet dhe aplikimet janë vlerësuar nga juria profesionale në përbërje të kompozitorit Rafet Rudi (kryesues), kompozitorit Vasil S.Tole si dhe kompozitorit Ermir Bejo.

Në mungesë të prezencës së jurisë, për të lexuar raportin e jurisë, në skenë doli vlerësuesja Jehona Shyti.

Juria vlerësuese ka mundur të konstatojë se niveli profesional i veprave të paraqitura është i konsiderueshëm. Në bazë të kësaj, komisioni ka marrë këtë vendim:

Çmimi për Vepër Orkestrale, Simfonike dhe Koncertale i ndahet në mënyrë të barabartë veprave të dy autorëve: Drinor Zymberit për veprën “Constellation” dhe Kreshnik Aliçkajt për veprën “Viola Concerto”.

Veprat e autorëve Drinor Zymberi dhe Kreshnik Aliçkaj dallojnë për nga fizionomia stilistike por njëkohësisht që të dy veprat karakterizohen me nivel profesional të konsiderueshëm në të gjitha aspektet. Veprën e Drinor Zymberit e shquan një lëvizje e vazhdueshme pa synime dramatike zhvilluese, ka një orkestracion të një karakteri lundrues të detajuar dhe kalkuluar mirë. Edhe kjo vepër sikurse të gjitha veprat tjera të këtij autori, karakterizohet me një gjuhë shtrese të sofistikuar dhe bashkëkohore. Vepra e Kreshnik Aliçkaj, ndërkaq shënon edhe një hap në rrugën e këtij kompozitori që ndërmerret me sukses në forma standarde që aq shumë i mungojnë krijimtarisë sonë. Vepra ruan sigurinë stilistike të dalë nga një kornizë neoklasike, e ngjyrosur me elemente të tingëllimës autoktone.

Çmimi për Vepër Kamertale i ndahet në mënyrë të barabartë dy veprave të dy autorëve; Fjolla Gashit për veprën “Mystral” për kuartet flautesh dhe Ersan Januzit për veprën “Chaos” të shkruar për orkestër frymore.

Vepra e autores Fjolla Gashi “Mystral” shton përpjekjet e autores që me ngulm dhe me sens poetik të bëjë përshkrimin e një situate specifike nga natyre që ajo e përjeton, pavarësisht se probabiliteti i përfitimit të tingujve adekuat është relativ. Gjithsesi, duhet veçuar temperamenti interesant krijues i autores në vepër dhe shprehjen e freskët dhe moderne që ajo tregon. Vepra e autorit Ersan Januzi “Chaos” e vë në sprovë autorin pa na dhënë informacion komplet dhe jo të lehtë për t’u menaxhuar. Ai përkundër kësaj, mban një kontroll intonativ të sigurt. Gjatë tërë veprës operon me situata orkestrale, kontraktuese, mirë të diferencuara, gjë që komisioni e ka çmuar.

Çmimi për Vepër Solistike dhe për Duo i ndahet dy veprave të dy autorëve; Mendi Mengjiqit për veprën “Fantasy” për flaut dhe piano si dhe autorit Bardh Dubovci për veprën “TAH” për flaut solo.

Vepra e autorit Mendi Mengjiqi është një krijim ku autori i respekton me mençuri karakterin suptil të instrumenteve. Vepra ka shkrirje poetike që ngërthen në vete elemente të këngës sonë popullore me një diskrecion të rafinuar. Vija dramaturgjike e veprës është e kalkuluar mirë dhe ajo buron nga një zhvillim racional i mirë i materialit muzikor. Ndërkaq, vepra “TAH” e kompozitorit Bardh Dubovci hyn në vazhdën e veprave të fundit të këtij autori të ri shumë origjinal, i cili synim krijues ka eksplorimin e mundësive të instrumentit për të cilin shkruan. Ai në këtë vepër e bënë në mënyrë pa kufizime dhe pa ekzagjerime. Ideja fundamentale e veprës mbetet e çartë, konsekuente dhe nga ajo determinohen të gjitha parametrat e tjera të veprës.  

Çmimi për Vepër Korale ‘A cappella’ dhe Vepër Korale me shoqërim instrumental i ndahet Mendi Mengjiqit për veprën “Mars” kompozuar për kor ‘A cappella’ dhe Hajrullah Sylës për veprën “The Matamorphosis” kompozuar për kor me shoqërim instrumental.

Vepra e autorit Mendi Mengjiqi edhe një herë dëshmon posedimin e teknikës së mirëfilltë kompozicionale tashmë në fazën e pjekurisë së plotë krijuese. Autori që në vendosjen e materialit fillestar e ka kalkuluar çdo rezultat tingëllues që do të fitohet gjatë rrjedhës së veprës. Vepra bazohet në përvojën barokiene të kontrapunktit rrotullues, në të cilin zërat mund të ndërrojnë pozicione ‘lart-poshtë’ apo ‘poshtë-lartë’, duke mos thyer rregullat e udhëheqjes së zërave të vlefshme. Kompozitori këtë metodë me shumë sukses e ka dëshmuar edhe në veprat e mëparshme. I gjithë materiali muzikor është i kalkuluar me përpikëri. Vepra e autorit Hajrullah Sylës ndërtohet nga një eksperiencë mirë e formuar e autorit për muzikën korale. Është e qartë se autori i përcjell tendencat e reja popullarizuese të muzikës korale të sotme në botë, nga të cilat dhe lind frymëzimi i veprës.

Ndërkaq, ministri Çeku ishte ai i cili ka ndarë çmimet në fushën e muzikës për vitin 2021.

Kompozitori Mendi Mengjiqi ka vlerësuar lartë këtë konkurs që sipas tij është një stimulues për kompozitorët kosovarë.

“Ky konkurs është i vetmi stimulim që e kanë kompozitorët kosovarë si dhe njëkohësisht e ka kultivuar veprimtarinë tonë kombëtare. Kam një numër të konsideruar të veprave që kanë qenë me siguri të stimuluara nga ky konkurs. Falë këtij konkursi, për çdo vit tashmë po krijohet një vepër në mënyrë që të merret pjesë në të. Andaj, a fiton apo jo, nuk është me rëndësi fare. Duhet shumë mund dhe shumë shkollë për të krijuar një vepër të këtij zhanri”, thotë Mengjiqi.

Po ashtu, kompozitorët Hajrullah Syla, Ersan Januzi, Fjolla Gashi, Drinor Zymberi si dhe Kreshnik Aliçkaj pasi morën dhe çmimet e tyre, falënderuan Ministrinë e Kulturës si dhe mbështetësit e tyre më të afërt që kanë qenë me ta përgjatë gjithë krijimtarisë së tyre artistike.

Krejt në fund, ceremonia u përmbyll përsëri me një tjetër vepër magjike që erdhi pikërisht nga Orkestra Simfonike e Gjakovës. Dirigjenti Pëllumb Vula ka futur kontrollin e tij përbrenda lëvizjeve intensive të instrumentistëve të cilët interpretuan melodi të pakrahasueshme. Me një fuqi të lartë të notave diversive, kjo mbrëmje gjeti fundin nëpër tinguj të mahnitshëm e tejet të nevojshëm për dëshminë se muzika klasike vazhdon të mbetet mbretëresha e gjithë zhanreve muzikore që ekzistojnë nëpër botë. / KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme