Komuna e Prishtinës prezanton orkestrën ‘Orkestra Prishtina’, një hap i ri për jetën muzikore në kryeqytet

24 Qershor, 2025 - 6:39 pm

Flonja Haxhaj

Prishtina shënoi dje një moment historik në skenën e saj kulturore teksa u prezantua për herë të parë orkestra e kryeqytetit “Orkestra Prishtina (OPR)”, një ansambël i zgjeruar kamertal që synon të japë një hov të ri zhvillimit të muzikës artistike në kryeqytet, shkruan KultPlus.

E themeluar me iniciativë të Komunës së Prishtinës, kjo orkestër vjen si një përgjigje e kërkesës gjithnjë e në rritje për hapësira të mirëfillta kulturore në qytet. Themelimi i saj është realizuar në bashkëpunim me Organizatën për Bashkëpunime Artistike – EHO, me drejtoreshë Gresa Broqin, e cila është gjithashtu edhe pjesë e orkestrës.

Orkestra e kryeqytetit prezantohet me Genc Salihu, si drejtor i orkestrës, dhe violinisti Visar Kuçi, në rolin e koncertmjeshtrit.

Mbrëmja e debutimit nisi simbolikisht me nënshkrimin e marrëveshjes mes kryetarit të Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, dhe drejtoreshës së EHO, Gresa Broqi, të cilët vulosën zyrtarisht fillimin e rrugëtimit të kësaj orkestre.

Në hapje të kësaj mbrëmje, i pari i Prishtinës, Përparim Rama, u shpreh i lumtur që kryeqytetit i është shtuar një derë e re e artit dhe kulturës.

“Në një kohë kur gjithnjë e më shumë të rinj po e zgjedhin artin si gjuhën e tyre dhe inspirohen me mënyrën e tyre të shprehjes dhe publiku ynë po rritet, kemi menduar që edhe Prishtina ta krijojë orkestrën e vet”, u shpreh Rama i cili mes tjerash shtoi se ky nuk është vetëm një institucion i ri, por edhe një premtim që kultura në Prishtinë do të ketë gjithmonë vendin e merituar.

Ndërkaq, koncerti i parë i OPR-së u karakterizua nga një program i përzgjedhur për të reflektuar diversitetin dhe gjallërinë e muzikës klasike. Mbrëmja nisi me veprën ikonike “Brandenburg Concerto No. 3 in G major” nga Johann Sebastian Bach, e ndarë në tri pjesë: Allegro, Adagio dhe Allegro.

Repertori vijoi me një nga veprat më të njohura të Benjamin Britten, “Simple Symphony”, ku publiku pati mundësinë të shijojë katër pjesët karakteristike të saj: Boisterous Bourree, Playful Pizzicato, Sentimental Saraband dhe Frolicsome Finale.

Në përmbyllje, orkestra solli ngjyrat folklorike të Evropës Lindore përmes veprës “Romanian Folk Dances” të Béla Bartók, me interpretimin e pjesëve: Jocul Cu Baya, Braul, Pe Loc, Buciumeana, Parga Romaneasca dhe Maruntel.

Pas koncertit, drejtori i Orkestra Prishtina, Genc Salihu, u shpreh i lumtur që më në fund u është realizuar një ëndërr që e kanë pasur prej kohësh, themelimi i kësaj orkestre.

“Jam shumë i lumtur që më në fund po realizohet një ëndërr që e kemi pasë tash e një kohë të gjatë, ka kohë që me Visar Kuqin dhe Gresa Broqin që ta bëjmë një orkestër e cila ia bën një contrast muzikës simfonike të cilën e përfaqëson denjësisht Filharmonia e Kosovës, duke luajtur veprat të cilat janë më kompakte, më të vogla, të cilat e turbullojnë atë kufirin midis muzikës kamertale dhe simfonike. Prej janarit fillon sezoni ynë zyrtar, do të kemi një numër të konsiderueshëm të koncerteve dhe të punëtorive në vit për shpresojmë për shumë vite me radhë”, theksoi Salihu.

Ndërkaq, koncertmjeshtri i kësaj okestre, Visar Kuçi, u shpreh për KultPlus, se kjo orkestër synon që ta përfaqësojë Kosovën edhe ndërkombëtarisht.

“Ky është një hap shumë i madh, ideja e kësaj orkestre është që kjo të vazhdojë përjetësisht, do të thotë ne që jemi të parët që po e fillojmë, e kemi për detyrë që të fillojmë dhe ta ngrisim në një nivel sa më të lartë të mundshëm, që të vazhdojë edhe në gjeneratat e ardhshme dhe të ketë edhe njohje ndërkombëtare”, tha Kuçi duke shtuar tutje, se shpresojnë që kjo orkestër t’i japë qytetit dhe shtetit një përfaqësim të denjë dhe profesional.

Për KultPlus foli edhe drejtoresha e EHO, Gresa Broçi e cila shpjegoi rëndësinë e themelimit të kësaj orkestre dhe për planet e saj në të ardhmen.

“Gjithçka sonte ka shkuar shumë mirë, ishte shumë artistike, kishte emocione shumë të bukura. Në prespektivën e instrumentistes, në aspektin profesional, është shumë e rëndësishme që të krijohen sa më shumë orkestra të reja, dhe jo vetëm për mua por për  të gjithë kryeqytetin dhe të gjithë artistët është një iniciativë mjaft e mirë që është realizuar me një punë të madhe ekipore dhe që në të ardhmen të ketë mundësi, të jetë një derë e re që të integrohen instrumentistët. Planet janë shumë interesante, kemi përpiluar programin, do të paraqitemi me koncerte në një të ardhme shumë të afërt, do të integrohen solistë, dirigjentë të njohur, por gjithashtu kemi edhe plane edhe në aspektin edukativ ku do të realizojmë edhe punëtori”, tha Broqi./KultPlus.com

Të ngjajshme