Koncerti i Filharmonisë së Kosovës për Pagarushën mbahet në Shkup, Jashari: Nuk ka ndonjë vend në Kosovë ku do të mund ta mbanim koncertin

14 Dhjetor, 2020 - 2:21 pm

Medina Pasoma

11 soliste dhe 50 instrumentistë të Filharmonisë së Kosovës do të marrin vendet e tyre në skenë për të nderuar figurën e madhe të Nexhmije Pagarushës. Mirëpo, nderimi për Bilbilin e Kosovës nuk do të ndodh në vendin e saj. Koncerti “Për Nexhin” më 19 dhjetor do të mbahet në Sallën e Filharmonisë së Shkupit në Maqedoninë e Veriut, shkruan KultPlus.

Pikërisht për të marrë detajet për këtë koncert dhe arsyet e zhvendosjes së saj në Shkup, e jo në ndonjë vend të Kosovës, prej ku edhe e merr buxhetin institucioni publik, Filharmonia e Kosovës, Baki Jashari në një intervistë për KultPlus ka treguar për këtë zhvendosje të koncertit nga Prishtina në Shkup.

Jashari shpjegoi se kësaj radhe kanë vendosur ta kujtojnë Nexhmije Pagarushën nëpërmjet koncertit përkujtimor, duke e përfunduar vitin me nderimin për të.

“Bazuar në rolin e saj të madh në muzikën burimore, tradicionale, popullore, mjeshtërisë që askush s’ka mundur t’ia tejkaloj interpretimeve të saja, faktit që ka qenë solo këngëtare dhe Bilbil i Kosovës,  për angazhimin e saj nëpër dekada, ne si Filharmoni e Kosovës e kemi konsideruar nder dhe obligim ta kujtojmë me një koncert e disa aktivitete”, tha Baki Jashari.

Në anën tjetër, Filharmonia e Kosovës është institucion publik shtetëror dhe si i tillë buxheti i saj rrjedh nga taksapaguesit kosovarë. E pavarësisht kësaj, premierën e koncertit “Për Nexhin” ata do ta japin në Maqedoninë e Veriut.

Arsyet pse do të dëgjohen meloditë e veprave artistike për Bilbilin e Kosovës në Shkup dhe jo në Prishtinë, Baki Jashari i ndau me KultPlus. Ai përmendi dy koncertet paraprake të Filharmonisë, në të cilën kishin pasur rastin që të testojnë strukturën ndërtuese të sallës në Shkup.

“Një ndër arsyet ka qenë akustika e mrekullueshme, meqë ajo sallë është pikërisht për Filharmoninë.  E dyta ka qenë hapësira, ku lejohet të përdoret 30% i kapacitetit prej 1000 ulëseve. Përmes hulumtimeve tona e kemi vlerësuar se atje do të kemi publik prej 240 personash”, sqaroi Jashari.

Drejtori i Filharmonisë së Kosovës pyetjes se nëse e kanë shqyrtuar mundësinë që ta organizojnë në një vend tjetër në Kosovë përveç Sallës së Kuqe në Prishtinë, Jashari ka treguar analizat që i kanë bërë si institucion, që i ka dërguar deri te ky vendim.

 “E kemi diskutuar brenda strukturave të Filharmonisë mirëpo, bazuar në formatin e orkestrës simfonike me 60 instrumentistë dhe 11 solistë, nuk ka ndonjë vend jo vetëm në Prishtinë, por askund në Kosovë as në vendet ku ne kemi qenë më parë, si në Prizren, Pejë, Gjilan, Gjakovë”, ka thënë Jashari.

Tutje, ai theksoi se edhe stina e dimrit ka ndikuar që të merret ky vendim, sepse, sipas tij, nëse do të ishim në muajt me temperatura të larta,  koncerti do të mund të mbahej në një hapësirë të hapur.

“Ti mundesh të bësh një program të tillë me këngët e Nexhmije Pagarushws edhe me një orkestrinë të vogël, me një kuartet, me 4-5 njerëz (muzikantë) dhe në llogari që hapësira t’i dedikohet publikut. Por ja që këngët e këtij projekti janë të dizajnuara për orkestër simfonike. Për ta pasur atë mundësi do të duhej ndoshta ta bëjmë në Stadiumin e Qytetit. Ose sikur tw ishim nw muajt qershor e korrik,  ne nuk do ta diskutonim fare Shkupin”, u shpreh drejtori i Filharmonisë së Kosovës.

Baki Jashari shtoi se po të bëhej koncerti në Kosovë, ata do të duhej të mendonin se kë ta “privilegjonin” për të pasur mundësinë e ndjekjes së koncertit, në një formacion prej 40-50 njerëzish në publik. Kurse për përbërjen e veprave të koncertit, Jashari ka shpjeguar më tej se me çfarë vepra do të prezantohet ky koncert.

“Ky koncert është konceptuar me 11 soliste gra dhe në program do të jenë perlat e muzikës tonë tradicionale, qytetare, të lehtë, popullore dhe në mesin e tyre edhe disa që pikërisht i ka kënduar Nexhmije Pagarusha si “Perëndeshë e bukurisë”, “Dashnor t’u bana”, “E kujtoj atë takim”, detajoi Jashari.

Ai theksoi se koncerti do të përcillet drejtpërdrejtë në rrjete sociale, teksa ka gjasa edhe të transmetohet në natën e Vitit të Ri nga ndonjë televizion vendor. Poashtu për shkak të masave anti-covid që priten të merren në Maqedoninë e Veriut, koncerti “Për Nexhin” i cili planifikohej të mbahej në ora 17:00, do të filloj në ora 15:00 në Sallën e Filharmonisë në Shkup.

Përgjatë koncertit i cili do të mbahet me numër të kufizuar të pjesëmarrësve, do të interpretohen vepra nga Rexho Mulliqi, Çesk Zadeja, Avni Mula, Lorenc Antoni, Palok Kurti, Kristo Kono, Rauf Dhomi, nën orkestrimin e Valton Beqirit, Kreshnik Aliçkajt dhe Gridi Krajës.

Në anën tjetër, me zërat e tyre të pranishëm nën dirigjimin e Gridi Krajës do të jenë solistet Adelina Paloja – soprano, Ardita Ukaj – soprano, Arta Jashari – soprano, Besë Krasniqi – mexosoprano, Dea Hamdiu – alto, Diellza Sylejmani – alto, Elikonë Hysaj – mexosoprano, Ilvije Dragusha – Murtezaj – soprano,
Kaltrina Miftari – soprano, Selvije Marteti – Xhemshiti – soprano, Shkurtë Hykaj – soprano.

Ky koncert organizohet nën mbështetjen e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit. / KultPlus.com

Të ngjajshme