Koncerti i Korit të Filharmonisë së Kosovës, Rudi: Përmbushi momente të rëndësishme të krijimtarisë sonë muzikore

15 Dhjetor, 2023 - 10:45 pm


Flonja Haxhaj

Në një atmosferë të ngrohtë dhe të mbushur me emocione, kisha ‘Shën Ndou’ në Prishtinë u bë mbrëmë dëshmitare e një ngjarjeje të jashtëzakonshme. Koncerti i Korit të Filharmonisë së Kosovës, i drejtuar nga dirigjenti i njohur Rafet Rudi, shënoi jo vetëm 20-vjetorin e themelimit të këtij institucioni të rëndësishëm, por edhe pervjetorët e dy kompozitorëve shqiptarë të shquar, Zeqirja Ballata dhe Mehdi Menxhiqi, shkruan KultPlus.

Me një prezencë të madhe të publikut dhe akustikës së mrekullueshme të kishës, koncerti ktheu ambientin në një sallë magjike. Me një program që përfshiu vepra të kompozitorëve si Lauridsen, Sandstrom, Matsushita, Whitacre e vetë Rudi, me shumë pasion e virtuozitet dirigjenti udhëhoqi një udhëtim muzikor emocionues.

Ky koncert gjithashtu shënoi përmbylljen e një viti të suksesshëm kalendarik të Korit të Filharmonisë së Kosovës.

Momenti kulminant i mbremjës erdhi me ekzekutimin e veprës së Rafet Rudit, “Concerto Fantasy”, nën interpretimin e pashoq të violinistes Sihana Badivuku dhe Korit të Filharmonisë së Kosovës. Kjo vepër e rivënë në skenë pas 11-viteve, krijoi një harmoni të paharrueshme mes instrumenteve dhe zërit.

E ky koncert, u përmbyll me një duartrokitje disa minutëshe, si një mirënjohje për gjithë këtë spektakël që muzikantët ofruan e në veçanti, për maestron Rafet Rudi.

Përveç që u vu në skenë vepra ‘Concerto – Fantasy’, ky koncert risolli në skenë dirigjentin e mirënjohur, Rafet Rudi, i cili edhe pse ka katër vite që nuk është dirigjent permanent i Korit të Filharmonisë së Kosovës, vlerëson potencialin e këtij institucioni të marrë ndër vite, e në veçanti koncertin e sotëm.

“Ky koncert ishte në një farë mënyre ngërthen në vete edhe një lloj retrospective të disa vepravetë rëndësishme që ne kemi kënduR dhjetë vite më parë e kështu, por ishte edhe shënim në përvjetor të dy kompozitorëve tanë shumë të rëndësishëm Zeqira Ballatës dhe Mehni Menxhiqit. Domthënë është sajuar në atë mënyrë që të përmbushë disa momente të rëndësishme historike të korit, po edhe të krijimtarisë tonë muzikore”, tha për KultPlus, dirigjenti Rafet Rudi.

Violinistja Sihana Badivuku ka thënë se vepra ‘Concerto – Fantasy’ është njëra ndër më kapitalet shqiptare për violinë, duke shtuar se e ka shumë për zemër.

“Për mua kjo vepër është një ndër veprat më kapitale shqiptare për violinë dhe kor dhe është një ndër veprat që i kam më në zemër të kompozitorit dhe dirigjentit Rafet Rudi. Me kompozitorin Rafet Rudi kam bashkëpunim të frytshëm që nga mosha 13-vjeçare kur për herë të parë kam performuar Rondo-n nga sonata për violinë dhe piano më pas ‘Fantasia in SI’ po ashtu për violinë dhe piano, vepra e parë që ka dedikuar kompozitori për mua”, thotë ajo.

Fantasia Concertante që u dha si premierë 11 vite më parë. Kjo vepër i ofron violinistit hapësirë për eksplorim të timbrit të tingullit të violinës, frazave dramatike ‘recitativo’ në Sul G, shprehje improvizative të pasazheve virtuoze dhe kolorit në dialogjet e violinës me dy solistët dhe korin.

“Në koncert sonte, falë atmosferës magjike që u krijua nga akustika e kishës katolike dhe energjisë së ngrohtë të publikut u realizua në mënyrë të veçantë dhe unike, pjekuri artistike e me një koncept më ndryshe dhe risi që lindën spontanisht gjatë performancës. Kjo vepër ka hyrë në histori dhe është vulë kombëtare e literaturës violinistike me ansambël e që duhet të performohet edhe nga solistë të tjerë të gjeneratave të reja dhe ta përfaqësojë Kosovën me këtë thesar artistik të krijimtarisë së profesor Rudit. Me shumë shumë dinjitet ndihem krenare që këtë vepër ma ka dedikuar mua personalisht.”, ka thënë Badivuku.

Ndërkohë, sopranoja Arta Jashari tregoi se ishte një kënaqësi e madhe ta përmbyllin vitin me një koncert të pasur repertor dhe kuruar me kujdes nga profesori Rafet Rudi.

“Këtë vit e permbyllëm me një koncert të pasur në repertor dhe kuruar me kujdes nga profesori dhe dirigjenti Rafet Rudi, me të cilin dhe kemi nisë shumica prej nesh në Korin Profesinal të Filharmonisë së Kosovës rrugëtimin tonë koral. Personalisht ishte kënaqësi të performonim vepra të cilat për mua janë shumë të dashura meqë personalisht më pëlqen shumë muzika korale dhe i dëgjoj ato nga kore të ndryshme nëpër botë, mendoj që kemi qenë mirë të përgatitur si rezultat i përkushtimit të punës së profesor Rudit. Ishte një vit përplot me paraqitje tonat për të cilat jam shumë krenare që i kemi realizuar me sukses”, tha Jashari

Në këtë koncert që kishte bërë bashkë shumë arsye për të festuar u shqua edhe baritoni Shaban Behramaj, i cili u shpreh për KultPlus se ishte një natë shumë e veçantë për të.

“Sonte ishte një natë e veçantë, një emocion më ndryshe nga koncertet tjera të kalendarit artistik të Korit të Filharmonisë, sepse përveç që ishte një koncert i fundvitit ishte edhe 20 vjetori i themelimit të Korit të Filharmonisë. Unë tashmë i kam mbushur plot 12 vjet pjesë e këtij institucioni, duke qenë pjesë e shumë koncerteve brenda dhe jashtë vendit, shumë të arritura e suksese, e përfaqësime dinjitoze, dhe mbrëmë u ndjeva shumë krenar për veten dhe të gjithë kolegët e Korit që tashmë për mua janë si familje”, u shpreh Behramaj.

Ai e veçoi këtë natë sikurse gjithë të tjerat, duke thënë se është përgjegjësi e madhe të jetë solist i mbrëmjes, megjithatë edhe një nder i madh.

“Profesor Rudi mbrëmë ishte prapë bashkë me ne, mbas një pauze, me korin të cilin ai e udhëheqi për vite me radhe duke i dhënë një nivel shumë të lartë artistik si dhe duke aplikuar gjithëmonë një program me kërkesa të mëdha ashtu si i ka hije një kori profesional. Kisha nderin të jem edhe njëri nga solistët e mbrëmjes duke i shtuar përgjegjësinë vetes, por gjithmonë me kënaqësi të interpretoj vepra që brenda vetes kanë jo vetëm muzikën por edhe frymën teatrale”, shtoi ai.

Behramaj uron që vitet e ardhshme ta gjejnë Filharmoninë në kushte më të mira të punës, me një sallë adekuate koncertale dhe që ata, si artistë, të ndjehen më rehat edhe në prapaskena por edhe në interpretime, dhe të ndihen të vlerësuar e me dinjitet në ato përmasa që i meritojnë./KultPlus.com

Të ngjajshme