Koncerti recital i Bujar Qamilit, qindra qytetarë dhe turistë në shesh

22 Qershor, 2025 - 3:53 pm

Bujar Qamili, artisti i njohur shkodran, Nderi i Kombit, dhuroi emocione të forta në një natë magjike për publikun e tij të zemrës, në koncertin recital të mbajtur mbrëmjen e djeshme në sheshin para bashkisë Shkodër.

Nën moton “Qejfi bahet me shkodranë”, qindra qytetarë dhe turistë krijuan një atmosferë unike, duke kthyer këtë ngjarje në një festë të paharrueshme për Shkodrën.

Koncerti zgjati për disa orë dhe solli në skenë emra të njohur të muzikës shqiptare si Artiola Toska, Shkëlzen Jetishi dhe Mateus Frroku, të cilët u pritën me duartrokitje të gjata nga një publik që nuk ndaloi së kënduari.

Në përfundim të koncertit, Bujar Qamili, falënderoi publikun shkodran për dashurinë dhe energjinë e jashtëzakonshme që i dhuroi gjatë gjithë mbrëmjes.

Edhe këngëtarët e ftuar e cilësuan pjesëmarrjen në këtë koncert si një privilegj të veçantë, për të ndarë skenën me një emër të madh të muzikës shqiptare.

Kjo mbrëmje muzikore e organizuar nga Bashkia dëshmoi se Shkodra është jo vetëm qyteti i artit dhe kulturës, por edhe i mikpritjes dhe festës./atsh/ KulPlus.com

Të ngjajshme