Korça mikpret festivalin “Shpirti i Ballkanit” mes ritmeve të muzikës folk dhe jazz

14 Qershor, 2025 - 4:15 pm

Korça mikpriti natën e parë të edicionit të 7-të të festivalit “Shpirti i Ballkanit”, në një paradë ngjyrash e shijesh muzikore.

Grupe nga Kosova, Bullgaria, Franca, Mali i Zi, Greqia, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria sollën në qytetin e Korçës një festë emocionesh duke përcjellë ritmet e muzikës folk dhe jazz.

Kryetari i bashkisë Korçë, Sotiraq Filo vlerësoi paradën e organizuar në rrugët e qytetit, e cila sipas tij, “u kthye në një mozaik gjuhësh, kostumesh dhe identitetesh, që u prit me entuziazëm nga qytetarët dhe vizitorët, një dëshmi e gjallë e shpirtit ballkanik që bashkon përtej kufijve”.

Në mbrëmje, tingujt e folk-ut dhe jazz-it përshkuan Pazarin e Vjetër, duke sjellë një atmosferë të jashtëzakonshme.

“Nën dritat e skenës, me publikun që këndonte, kërcehej dhe festonte, Korça u ndez me energjinë e një nate që nuk harrohet lehtë. Një tjetër natë që dëshmon pse Korça është kryeqyteti i shpirtit, i kulturës dhe mikpritjes”, tha Filo.

“Shpirti i Ballkanit” është më shumë se një festival. Është një përqafim kulturash, një thirrje për të festuar atë që na bashkon./ KultPlus.com

Të ngjajshme