Kori dhe Orkestra e Filharmonisë së Kosovës përmbyllën “Ditët e Nënë Terezës” me koncert, në fokus programi i pasur artistik

6 Shtator, 2022 - 8:30 pm

Me një koncert nga Kori dhe Orkestra e Filharmonisë së Kosovës u përmbyllën “Ditët e Nënë Terezës”.

Koncerti që u mbajt në Qendrën “BogdaniPolis” kishte një program të pasur artistik, kushtuar Shën Nënë Terezës.

U hap me ‘Vals Hyjnor – Himn për Nënë Terezën’ të kompozuar nga Genc Tukiçi në interpretim të sopranos Adelina Paloja ndërsa u interpretuan edhe veprat ‘Nënë Tereza’ nga Kreshnik Aliçkaj nga soprano Arta Jashari e Mustafë Ramaj në lahutë dhe “Rilindjes” e kompozitorit Valton Beqiri nën dirigjimin Edon Ramadanit. Mbrëmja u përmbyll me fragmente nga ‘Rekuiemi’ i Mozartit me solistët Kaltrina Miftari (soprano), Diellza Sylejmani (mexosoprano), Granit Musliu (tenor) dhe Armando Likaj (bas), nën dirigjimin e Baki Jasharit.

Të pranishëm ishin presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, ministrja e Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, Ipeshkvi i Kosovës imzot Dodë Gjergji, deputetë, artistë dhe qytetarë.

Me propozim të Ministrisë së Kulturës, Qeveria e Kosovës ka miratuar vendimin për shpalljen e 5 shtatorit si Ditën e Humanizmit në Kosovë.

“Ditët e Nënë Terezës” të organizuara nga Qeveria e Kosovës, kanë nisur më 26 gusht dhe për këto ditë ka pasur shumë aktivitete përkujtimore e kulturore. / KultPlus.com

muz

Të ngjajshme