Kori i Filharmonisë së Kosovës mbrëmë solli klasicizëm e muzikë moderne në Kishën Shën Ndou

6 Tetor, 2017 - 10:19 am

Arbër Selmani

Të gjithë sytë janë të drejtuar kah konstrukti i tij, derisa të njëjtit sy provojnë kontaktin me audiencën, magjinë e Kishës së bukur, unisonin me kolegët e tjera, herë herë kthehen tek fletët në duar ku janë partiturat dhe notat e shkrira, dhe prapë kthehet tek ai. Tek Astrit Pallaska.

Duart e tij, në anën tjetër, janë vetëm përkthimi i veprave që ai do ti dirigjonte për koncertin e mbrëmshëm të Korit të Filharmonisë së Kosovës. Emocione e ndjesi të ndryshme mbrëmë u transmetuan në Kishën Shën Ndou në Prishtinë, me karriget e mbushura e njerëz, nga ky Kor dhe Pallaska si dirigjent.
Nisi me “Locus Iste” nga Bruckner e vazhdoi me Crucifixus nga Antonio Lotti. Nga Eric Ëhitackre, kompozitor i njohur dhe i ri në moshë nga Amerika i njohur për kompozimet e tij për Kor dhe Ansambël e Orkestër, formacioni solli “Sleep”, ndërsa vepra e shqiptarit Drinor Zymberi erdhi fuqishëm e u duartrokit shumë, nën titullin “Shkoni krushqi”.

Kompozitori Drinor Zymberi thotë se koncerti i mbrëmshëm ishte i një dimensioni më të madh dhe se është nevojitur një përgatitje që programi muzikor i tillë të përballohet.
“Për mua ishte ndjenjë e mirë, secili kompozitor frymëzohet me kriju prapë kur sheh një interpretim të veprës së tij nga një Kor si Kori i Filharmonisë së Kosovës. Unë mund të them që ky Kor është model për tërë rajonin për nga interpretimi” tregon Zymberi.

“Shkoni krushqi” erdhi mbrëmë si premierë për prishtinasit, derisa vepra është interpretuar më herët në Maqedoni, në Bullgari në Shqipëri dhe në Kosovë, jo në kryeqytet.

“Ky ishte koncert i një dimensioni tjetër. Ishte një bagazh i ngjeshur i veprave dhe besoj se dirigjenti, me punën e madhe dhe përgatitjet që ta përballojë një program të tillë, në fund ia doli me sukses misionit të tij” tregon Zymberi.

Koncerti i Korit të Filharmonisë së Kosovës kësisoj erdhi mbrëmë me koncertin e parë të sezonit të ri, me vepra të muzikës vokale nga periudha të ndryshme. Një këngë popullore braziliane – “Muie Rendera” nga Carlos Alberto Pinto Fonseca e vijoi programin, deri në veprën kulminante të këtij koncerti “Sunrise Mass” – një meshë simfonike për kor dhe orkestër harqesh e kompozuar nga Ola Gjeilo. Vepra është kompozuar në vitin 2007 ndërsa premiera e saj u dha në Oslo, një vit më vonë. Kompozitori Gjeilo, në intervistat e tij në të kaluarën thotë se konsideron veten si kompozitor simfonik, pasi ai synon gjithmonë zërin orkestral, pa marrë parasysh sa të vogla janë në numër anëtarësh ansamblet që e performojnë punën e tij.

Astrit Pallaska, dirigjenti i natës, në këtë herë të parë të tijën duke dirigjuar Korin e Filharmonisë së Kosovës, pati detyrën e rëndë mbi supe. Duartrokitjet në fund sikur ia konfirmuan suksesin e natës.
“Është punuar me dashuri, me përkushtim e me devotshmëri dhe jam i privilegjuar e i kënaqur për këtë bashkëpunim me institucionin që është kulminacioni i artit muzikor në Kosovë. Ishte hera e parë për publikun dhe shpresoj që edhe ata e kanë pëlqyer. Në pjesën e parë sollëm pak a shumë epoka të ndryshme muzikore, që nga viti 1500 e deri në kohët moderne, ndërsa vazhduam me klasicizëm e me muzikë moderne. Për mua ishte bashkëpunim me Korin e Filharmonisë, të cilët kanë bërë një punë të jashtëzakonshme” tregon Pallaska.

Profesoresha Besa Luzha thotë se koncerti erdhi i përthekuar mirë dhe se Astriti si dirigjent tregoi që premton shumë.

“Astriti ka qenë student i imi ndërsa sot tregoi se ky është një hap i mirë prej një dirigjenti që premton shumë. Zgjedhja e veprave më pëlqeu, duke marrë parasysh që kishte edhe një vepër shqiptare, të cilën kompozitori e kishte punuar mjeshtërisht” tregon Luzha.

“Në mungesë të sallës koncertale megjithatë në Kishë gjithmonë akustika është e mirë dhe të jep përshtypje të ngrohtë” vazhdoi Luzha.
Pallaska, dirigjent i natës, ka lindur në Gjakovë ndërsa në vitin 2004 e ka formuar korin e fëmijëve të qytetit dhe me vite të tëra ishte aktiv me pjesëmarrje të ndryshme bashkë me korin. Mes tjerash, ai është themelues I ansamblit vokal “Za” dhe deri tash ka pasur paraqitje në Maqedoni e në Francë. / KultPlus.com

Të ngjajshme