Kori “Siparantum” do të përfaqësojë Kosovën në skenën prestigjioze të muzikës korale në Tajlandë

16 Gusht, 2025 - 11:50 am

Në një komunikatë për media u njoftua se kori “Siparantum” do të përfaqësojë Kosovën në Thailand International Choral Festival 2025, një prej skenave më prestigjioze të muzikës korale në botë. Ky festival do të zhvillohet nga 31 gusht deri më 5 shtator 2025 në Bangkok, Tajlandë, dhe mbledh kore elitare nga e mbarë bota në një ngjarje të rrallë artistike dhe kulturore.

Këtë vit, “Siparantum” nuk do të jetë thjesht pjesëmarrës, por konkurrent i drejtpërdrejtë përballë disa prej koreve më të njohura ndërkombëtare. Repertori i përzgjedhur është i nivelit të lartë teknik dhe emocional, duke reflektuar standardin artistik, cilësinë vokale dhe prezencën skenike që e ka karakterizuar këtë ansambël ndër vite.

Në kuadër të festivalit, dirigjenti Memli Kelmendi do të mbajë një workshop ndërkombëtar, me fokus në zhvillimin e muzikës korale në Kosovë, nga rrënjët tradicionale deri te krijimtaria bashkëkohore. Një segment i veçantë i këtij prezantimi do t’i kushtohet veprave korale shqiptare, duke sjellë elementet unike të trashëgimisë muzikore kombëtare në vëmendjen e komunitetit ndërkombëtar të muzikës.

“Duke marrë pjesë kore nga e gjithë bota, prezantimi i literaturës sonë korale merr një rëndësi të veçantë, duke forcuar identitetin kulturor të Kosovës dhe duke krijuar ura të reja bashkëpunimi,” deklaroi Kelmendi.

Një tjetër moment i rëndësishëm për korin është ftesa në Ceremoninë Zyrtare të Hapjes së festivalit, që mbahet në skenën madhështore të Thailand Cultural Centre, një privilegj që u jepet vetëm ansambleve me sukses të dëshmuar në arenën ndërkombëtare.

Pjesëmarrja në këtë festival shënon gjithashtu shtetin e 19-të ku kori “Siparantum” ka performuar deri më sot. Aktualisht, sipas renditjes së Interkultur, “Siparantum” renditet ndër 20 ansamblet më të mira vokale në botë, me një histori të pasur suksesi që përfshin 19 çmime ndërkombëtare të fituara në konkurrencë të drejtpërdrejtë me kore të nivelit të lartë artistik.

Ky udhëtim është shumë më tepër sesa pjesëmarrje në një festival, është një mision kulturor dhe artistik për të vendosur Kosovën në hartën botërore të muzikës korale dhe për të dëshmuar se arti ynë mund të qëndrojë krah për krah me më të mirët./KultPlus.com

Të ngjajshme