Kori “Siparantum”, përfaqësues i Kosovës në Festivalin Ndërkombëtar të Koreve Botërore “NANCY voix du monde”

19 Mars, 2018 - 12:39 pm

Për herë të parë në një konkurrencë të madhe prej shumë shteteve të botës, kori “Siparantum” nga Peja, përfaqëson Kosovën në Festivalin Ndërkombëtar të Koreve Botërore “NANCY voix du monde”, që mbahet në Francë, shkruan KultPlus.

Lajmi është bërë i ditur nga kompozitori Memli Kelmendi, i cili ka thënë se e konsideron si një sukses shumë të madh për këtë kor i cili është formuar vitin e kaluar dhe sipas tij për një kohë shumë të shkurtër kanë arritur që të realizojnë vepra shumë të vështira dhe repertor profesional, gjë që sipas tij, ka ndikuar në pranimin e tyre në këtë festival.

“Është një gëzim i papërshkrueshëm për ne duke e marrë parasysh që tanimë ne do të jemi në konkurrencë me shtetet si: Gjermania, Republika e Kongos, Zvicra, Kili, Argjentina, Filipina, Algjeria, Ukraina, Kosova, Ekuadori, Bullgaria, Çekia…, prandaj kjo është një kënaqësi e madhe që të përfaqësojmë shtetin tonë në mënyrën sa më të mirë të mundshme. Qëllimi jonë tashmë është i qartë, të prezantohemi në mënyrën sa më të mirë të mundshme dhe të prezantojmë vlerat tona të mirëfillta. Repertori jonë do të jetë i larmishëm, do të paraqitemi me vepra të kompozitorëve të njohur botërorë dhe kompozitorëve shqiptarë”, ka shkruar në rrjetin social Facebook, Memli Kelmendi.

Festival International de Chant Choral “NANCY voix du monde” mbahet nga 9-13 maj ndërsa kori “Siparantum” do të paraqitet në 5 mbrëmje, në sallat koncertale më të njohura të vendit. Festivali Ndërkombëtar i këngës korale të Nancy, është formuar në vitin 1979, e cila synon të organizojë çdo 2 vjet një ngjarje muzikore që mbledhë koret nga e gjithë bota. Që nga themelimi i saj, deri më sot kanë marrë pjesë 260 kore nga 63 vende të botës.

“Theksoj që shteti ynë, Kosova paraqitet për herë të parë në këtë festival. Së shpejti ju njoftojmë me programin me të cilin ne do të paraqitemi në Francë”, përfundon kompozitori Kelmendi./ KultPlus.com

Të ngjajshme