Kosovarët nuk e kërkojnë për bashkëpunim, kompozitori Besim Baftiu për herë të dytë në Sanremo

17 Shtator, 2020 - 1:39 pm

Gjigant festival, dhe selektimi i këngëve që të jenë pjesë e konkurrencës zyrtare vlerësohet të jetë vetë çmimi i shumë kompozitorëve dhe këngëtarëve, shkruan KultPlus.

Dhe këtë ndjesi është duke e përjetuar kompozitori nga Gjilani Besim Baftiu, i cili për herë të dytë po merr pjesë me tingujt e tij në këtë skenë prestigjioze.

Për herë të parë ka mare pjesë në vitin 2018, me këngëtarin Roberto Saita dhe po në këtë vit do të prezantohet me të njëjtin këngëtar.

“Është super ndjenjë”, ka thënë Besim Baftiu për KultPlus, i cili pranimin e këngës së tij në këtë festival e vlerëson si një vulë profesionale për punën e tij.

Baftiu ka thënë se kënga që do të prezantohet këtë vit është e stilit italian, dhe është pop baladë.

“Është nder të jesh pjesë e këtij festivali, duke e pas parasysh peshën e Sanremos”, ka thënë Baftiu, i cili tregon për KultPlus se deri më tash nuk ka pas asnjë bashkëpunim me këngëtarët shqiptarë.

“Me tregu të vërtetën, asnjë këngëtar shqiptar nuk më ka ftuar që të bashkëpunoj, arsyeja e dytë është se këndej është bastarduar vlera e festivaleve, më shumë është showbiz sesa art”, ka thënë për fund Besim Baftiu./ KultPlus.com

Të ngjajshme