Kryeministri Rama: Mos e humb koncertin festiv në sheshin “Skënderbej”

28 Korrik, 2022 - 8:00 pm

Kryeministri Edi Rama ka bërë thirrje nëpërmjet rrjeteve sociale për të mos e humbur koncertin festiv, sot, në sheshin “Skënderbej”, në orën 19:00.

Më herët, kryeministri Rama, ka njoftuar për secilin nga artistët që do të jenë pjesëmarrës në koncertin e 28 korrikut, i cili kremton dy ngjarje speciale: 100 vjetorin e marrëdhënieve Shqipëri- SHBA dhe hapjen e negociatave me Bashkimin Evropian.

Lista e këngëtarëve që do të performojnë sonte, është e gjatë dhe premtuese për një superkoncert të suksesshëm. Disa prej tyre janë Anxhela Peristeri, Soni Malaj, Fifi, Ylli Limani, Alban Skënderaj, Xhensila Myrtezaj, Çiljeta Xhilaga, Flori Mumajesi etj.

Gjithashtu organizatorët kanë njoftuar se muzika do të pasohet nga një spektakël fishekzjarrësh.

Shqipëria dhe Bashkimi Evropian mbajtën në 19 korrik Konferencën e Parë Ndërqeveritare mes tyre në Bruksel, që shënoi edhe hapjen zyrtare të bisedimeve për anëtarësim të vendit tonë në BE.

Për të kremtuar këtë ngjarje të shënuar si dhe me rastin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes Shqipërisë e SHBA, u organizua ky superkoncert i cili do të zhvillohet sonte, në sheshin “Skënderbej”. / KultPlus.com

Të ngjajshme