Kuarteti i Parisit me vepra të shekullit XX-të i hapi dyert edicionit të 14-të të Dam Festivalit

27 Mars, 2019 - 6:36 pm

Gili Hoxhaj

Hapësirat ku mbahen zakonisht koncertet marrin një pamje tjetër gjatë kohës se Dam Festivalit, i cili muzikën klasike synon ta dërgojë në një dimension tjetër qoftë përmes artistëve dhe hapësirës. Në Atelienë e Pallatit të Rinisë mbrëmë nisi rrugëtimin e tij ky festival. Para një ndriçimi të ndezur ngjyrë rozë, pak dallohej ngjyra e bardhë e mureve që gjendeshin prapa instrumentistëve nga Kuarteti i Parisit të cilët për gati dy orë e kanë mbajtur vëmendjen e publikut të orientuar në një program goxha impenjativ të veprave dominuar nga instrumentet harkore  të cilat bashkoheshin në përkthim të veprave të dy shekujve të kaluar.  

Për më shumë se një dekadë, ky festival ka qenë urë lidhëse e artistëve botërorë e vendorë me publikun. Kjo ngjarje që shënoi fundin e aktiviteteve të Javëve të Frankofonisë e fillimin Dam Festit i cili do t’i sjellë publikut të Prishtinës gjashtë mbrëmje koncertale.

Drejtoresha e festivalit Rreze Kryeziu mbrëmë u shpreh e lumtur për hapjen e këtij edicioni me instrumentistë nga Opera e Parisit ndërsa theksoi se Dami edhe këtë vit aktivitetin e vet e ka të fokusuar tek instrumentistët vendorë e të huaj, duke i dhënë fokus edhe krijimtarisë së kompozitorëve vendorë, krahas atyre ndërkombëtarë. Tutje para të pranishmëve, ajo theksoi se përveç ligjëratave, punëtorive  e koncerteve, këtë vit Dami organizon dhe Garën e Kompozitorëve të Ballkanit në Prishtinë që sivjet shënon edicionin e parë dhe synon të mbetet tradicionale. Në këtë garë çmimi kryesor është “Rreqebulli i Argjendte” i punuar nga Leke Berisha.

Eric Lacrouts në violinë, Laurent Verney në violë dhe Vloren Xhafaj në violonçel morën duartrokitjet e para të festivalit. Të veshur në të zeza, ata krijuan një trekëndësh harkorësh, e me lëvizje të kokës në harmoni me ato të duarve ata së bashku me oboistin Oliver Doise lëvizën nëpër stile duke sjellë muzikën e folklorit dhe kaosin e shekullit të fundit me të gjitha gjërat që kanë ndodhur dhe ndryshimet historike.

“Trio për violinë, violë dhe violonçel”  e kompozitorit hebre Gideon Klein e kompozuar në vitin 1944 erdhi mbrëmë në hapje të festivalit për të vazhduar me veprën e kompozitorit kosovar Kreshnik Aliçkaj “Trio për harqe “Dardania Sacra””, vepër të cilën kompozitori Aliçkaj e kishte kompozuar në vitin 2012 dhe që nga atëherë tingujt e saj kanë lëvizur në disa vende të botës, e para dy netësh është luajtur nga po kjo trio në Tiranë. Për Aliçkajn kjo ishte hera e dytë që e dëgjon këtë vepër pasi që për herë të parë e kishte dëgjuar në Festivalin “Remusica” nga një ansambël gjerman, edhe pse vepra ishte shkruar  për ansamblin kosovar “String Trio Kosova”.

“U ndjeva shumë mirë që sonte ta dëgjojë nga muzicientë që vijnë nga Evropa dhe që kanë një traditë shumëvjeçare dhe kulturë të lartë muzikore. Kjo është hera e dytë që e dëgjova dhe e bën një lloj krahasimi pasi që ka disa ndryshime interesante duke qenë se secila trio i ka disa nuanca personale të lojës”, u shpreh Aliçkaj për KultPlus, i cili tha se ka një bashkëpunim të gjatë me Dam Festivalin dhe ndihet i nderuar që vepra e tij ishte në programin e hapjes se këtij festivali.

Mbrëmja pasoi me veprën “Trio për harqe” e kompozitorit Jean Cras  e cila mbetet një nga veprat më të rekomanduara të këtij kompozitori francez e kompozuar në shekullin e kaluar. Harkorët së bashku me oboistin sollën në Prishtinë edhe veprën  “Fantazi- Kuartet Op.2 për obo dhe trio harqesh” të Benjamin Britten e kompozuar në vitin 1932. Muzikaliteti i saj është në formën e një fantazi të shekullit të 16-të, në një formë harku me elementë të formës sonates. Ashtu si vepra që përmbylli këtë mbrëmje e Mozartit, edhe vepra e Brittenin i dhanë një funksion solo instrumentit oboe i cili dominoi në shumë pjesë të veprës. E veçanta e këtij repertuari ishte se veprat ishin shkruar në moshë të re nga kompozitorët dhe si e tillë mund të cilësohet si muzikë e një brezi më të rinj.   Violinisti shqiptar Vlorent Xhafaj i cili ka një eksperiencë të gjatë bashkëpunimi me instrumentistët francezë, tha se programi përfshinte kombinim midis veprës së Mozartit që funksionon si pasqyrë me këto katër veprat e tjera.

“Ishte një program shumë impenjativ edhe për muzikantët edhe për publikun që duhet të jetë aktiv dhe i përqendruar në shumë stile me ritme shumë të përbëra dhe të vështira ndonjëherë por edhe natyrale. Hapja e festivalit Dam është e rëndësishme dhe duke qenë se ishte koncerti i parë kishte pjesëmarrja mjaft të mirë edhe vendi ndoshta nuk është kaq mirë çdo ditë por sonte ishte shumë mirë”, tha Xhafaj për KultPlus.

Vepra e Mozartit që përmbylli mbrëmjen duket t’i ketë marrë goxha energji i instrumentistit francez në oboe Oliver Doise, të cilit në shprehjen e fytyrës i vërehej përkushtimi në interpretimin që kërkonte partitura pranë tij. Shpesh ka lëvizur hapat sa para e mbrapa e duke u përkulur trupin në njërin drejtim. Mjeshtëria e harkorëve pranë tij veçse e kanë plotësuar krejt këtë interpretim. Doise tha se ndihet keq që duhet të largohet pa e eksploruar Kosovën mirëpo ndihet shumë mirë pas ndjesisë që i ka krijuar të performuarit këtu, ndërsa thotë se ishte vendim i duhur që koncerti u përmbyll me kryeveprën e Mozartit, e cila njëherit shënon edhe një pavarësi muzikore të Mozartit.

“Ishte një performancë shumë e mirë të cilën e  shijoi edhe audienca që dukej e re në moshë dhe koncerti u përcoll me një entuziazëm edhe nga muzikantët dhe publiku. Ka qenë një program shumë i mirë dhe interesant ku disa  nga veprat kanë qenë të shekullit 20-të, nuk ka qenë e lehtë as loja por as dëgjimi i veprave . Ishte një ide e mirë për ta përmbyllur koncertin me Mozartin, pasi që kjo është një nga kryeveprat e Mozartit e shkruar në 1781, pasi që  kjo ishte si një “lindje” e muzikës së Mozartit pasi që ai më herët kompozonte muzikë për babain e tij dhe për princin në Salzburg dhe në këtë vit ai vendosi të shkruante muzikë vetëm për të dhe për muzikantët”, u shpreh Doise për KultPlus.

“Kuartet për obo, violinë, violë dhe violonçel” e Ëolfgang Mozart e shkruar në fillim të vitit 1781, është vepra e parë e këtij formacioni që është shkruar nga Mozarti..

“Në veprën e  Mozartit është muzika absolute, ajo lloj vepre që nuk mund t’i heqësh, as t’i shtosh asnjë notë është absolutizmi dhe pastaj janë katër vepra të ndryshme që vijnë nga shekulli 20-të dhe 21-të që përmbajnë muzikën e folklorit dhe kaosin e shekullit të fundit me të gjitha gjërat që kanë ndodhur dhe ndryshimet historike”, tha tutje Xhafaj i cili tha se prezantimi i këtij programi në Tiranë dhe Prishtinë brenda dy netësh do të duhej të shërbente si shembull i mirë për bashkëpunim edhe më të madh mes artistëve shqiptarë dhe të huajve që vijnë në festivale, e për këtë Xhafaj tha se ky bashkëpunim do të duhej mbëtetej në ndihmën instutucionale mes Kosovës dhe Shqipërisë,  përtej deklaratave të mëdha.

Kompozitori, dirigjenti dhe pianisti amerikan Gregory Charette nuk do i mungojë as këtë vit Dam Festivalit. Ai për KultPlus tha se e vlerëson që koncerti përmbante vepra të shekullit XX-të ndërsa  lojë e vlerësoi si mjaft elegante.

“Mendoj se ky festival është shumë i rëndësishëm pasi që i sjell muzikantët evropianë në Kosovë dhe i jep mundësinë audiencës mundësinë për të përjetuar nivelin e tyre artistik dhe u ndihmon për të zhvilluar marrëdheniet mes vendeve. Është shumë mirë ta hapësh festivalin me instrumentistë kaq të talentuar që sollën një energji shumë të mirë dhe një lojë elegante. Jam shumë i lumtur që programi pati shumë muzikë të shekullit 20-të”, tha Charette për KultPlus.

Dam Festivali do të vazhdojë me koncert edhe për gjashtë net të tjera./ KultPlus.com

Të ngjajshme