KultPlus feston me Flaka Gorancin dhe me ciklin ‘Ta zbardhi ftyrën’

3 Tetor, 2018 - 5:13 pm

KultPlus – gazeta e parë online shqiptare që i kushtohet në tërësi raportimit mbi artin dhe kulturën, këtë vit do të festojë në mënyrë të veçantë.

Pesë-vjetori i themelimit të KultPlus vjen me një koncert dhe me një diskutim simpatik nën titullin “Ta zbardhi ftyrën”.

Do të jetë Flaka Goranci ajo e cila do ta begatojë këtë natë muzikore e cila do të mbahet me datë 8 tetor, në ora 18:00 në Amfiteatrin e Bibliotekës Universitare në Prishtinë.

Flaka Goranci e nisi karrierën e saj muzikore në piano, për të kaluar më pas në këndim. Studimet e saj bachelor i përfundoi në Akademinë e Muzikës në Tiranë.

Në moshën 22 vjeçare ajo debutoi me rolin e Rosina në ‘Il Barbiere di Siviglia’ në Operën Shtetërore në Tiranë. Në Izrael, në Shqipëri e Austri ajo është paraqitur në role të ndryshme, përfshirë ‘Le nozze di Figaro’ të Mozartit, rolin e Dorabella në ‘Cosi fan tutte’, Ida në ‘Gemma di Vergy’, Dido në ‘Dido and Aeneas’ dhe Die Mutter në ‘Der Jasager’. Në mesin e dirigjentëve me të cilët ajo ka punuar numërojmë Nicolaus Harnoncourt, Erwin Ortner, Ulrich Windfuhr, Paëel Poplawski, Enrico Delamboye, Manfred Mayrhofer, Vittorio Parisi, Yishai Steckler, Gion Gieri Tuor, Zhani Ciko dhe shumë dirigjentë tjerë, njëjtë edhe me drejtorët e ndryshëm të operave, duke përmendur këtu Uwe Eric Laufenberg, Stephen Lawless, Carlos Wagner, Niv Hoffman, Andrea Zogg, Ulrich Schulz, Dani Ehrlich, Nikolin Gurakuqi dhe Michal Grover Friedlander.

Ajo është fituese e Bursës Hilde Zadek Scholarship Foundation ndërsa ka performuar në skena të mëdha botërore.

Këtë natë Flaka do të jetë edhe pjesë e “Ta zbardhi ftyrën” – një cikël ku sjellim personalitete të cilat krijojnë dhe kanë sukses jashtë Kosovës, për të na treguar për sfidat, vështirësitë dhe rrugëtimin e tyre. Titulli i debatit nuk asocon me asgjë tjetër, pos idesë se artistët kosovarë e shqiptarë mund dhe arrijnë të kenë suksese edhe në shtetet tjera evropiane ku ndoshta është i vështirë depërtimi. A ekziston ende shprehja “na e zbardhe ftyrën” dhe a veprojnë artistët bazuar në këtë thënie, do ta zbulojmë edhe me Flakën.

Nata muzikore është pa ftesa, prandaj të gjithë lexuesit e KultPlus dhe ata që e duan artin e kulturën janë të mirëseardhur në këtë natë me muzikë, me diskutim por edhe me plot art e kulturë.

Në shoqërim në piano vjen Pranvera Hoxha. Për më shumë detaje rreth koncertit na shkruani në [email protected] ose në Facebook dhe KultPlus.

Të ngjajshme