Kumbaro: “Gjiroclassica”, festivali muzikor mes kalldrëmeve e historisë

30 Maj, 2025 - 8:20 pm

Në qytetin e Gjirokastrës u zhvillua për 5 netë me radhë Festivali Ndërkombëtar i Muzikës Klasike “Gjiroclassica”.

Gjatë ditëve të festivalit instrumentistë të rinj vendas dhe të huaj performuan në skenat artistike në kalanë e gurtë dhe godinat muzeale.

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro tha se ky festival e ktheu Gjirokastrën në zemrën e një udhëtimi të gjallë muzikor mes kalldrëmeve, historisë, zonës muzeale, shpirtit dhe artit të saj, ndërsa talenti dhe virtuoziteti i të rinjve që u bën pjesë e konkursit ‘Tempo’ premtojnë vazhdimësinë e kësaj tradite në qytet.

Kumbaro falënderoi të gjithë pjesëmarrësit për ditët plot art e frymëzim që i dhuruan Gjirokastrës.

Këtë vit, ky festival i kushtoi vëmendje të veçantë artistëve më të rinj të skenës shqiptare dhe jashtë saj.

“Gjiroclassica” ishte  një mundësi e bukur për të ndjekur nga afër këta artistë, një festë që frymëzon brezin e ardhshëm të talenteve shqiptare.

Festivali mbyllet sot me një koncert të korit të fëmijëve “Okarina” Kosovë në kalanë e Gjirokastrës.

Në Gjirokastër aktivitetet kulturore dhe artistike po zënë një pjesë të rëndësishme gjatë  sezonit turistik në Gjirokastër duke tërhequr vizitorët vendas dhe të huaj./atsh/KultPlus.com

Të ngjajshme