“Kur vjen pranvera”, festivali që ka ndikuar shumë në krijimtarinë dhe prezantimin e këngëve të muzikës së lehtë

23 Mars, 2023 - 11:00 am

Festivali ‘’Kur vjen pranvera” ose siç njihet edhe si “’Koncerti i pranverës’’ është një edicion muzikor bazuar në muzikën e lehtë shqiptare, përcjell KultPlus.

Ky festival filloi me 31 mars të vitit 1985, dhe mbahej për vetëm një natë, ku dëgjohej e votohej nga dëgjuesit e shikuesit te RTSH-së dhe mbas disa ditësh shpallej kënga fituese në radio-televizion.

Në këtë festival spikaste edhe mënyra e orkestrimit, që ndryshonte nga festivali që mbahej në fund të çdo viti. Ndërtimi i skenës, vendosja e instrumentistëve ishte diçka që të tërhiqte. Nuk përdorej shumë formulimi i muzikës me harqe, siç bëhet me atë të festivalit në RTSH, por përdoreshin ato që përshtateshin më tepër me atë të muzikës së lehtë.

Në këtë festival është bërë prezantimi i shumë këngëve të muzikës së lehtë, dhe zakonisht merrnin pjesë rreth 22 këngë. E veçanta e këtij festivali ishte sepse nuk kishte çmime të dyta e të treta.

Kënga fituese e edicionit të parë u shpall ‘’Në duart e nënës’’- muzika Gjergj Leka, teksti Zhuliana Jorganxhi. Por atë vit kënga fituese u shpall në lajmet e fundit të datës 10 prill 1985, disa orë para se të shpallej vdekja e Enver Hoxhës.

Ky festival madje u bë tradicional dhe për gjashtë vite u shfaqen këngë të muzikës shqiptare që edhe sot dëgjohen dhe përpunohen nga brezat e rinjë.

‘’Kur vjen pranvera” për herë të fundit u mbajt në vitin 1990 dhe kënga fituese u shpall “Si ta kuptoj” me muzikë nga Flamur Shehu dhe tekst të Jorgo Papingji. / KultPlus.com

Të ngjajshme