Kush do ta fitojë festivalin ‘Kënga Magjike 2017’ (VIDEO)

8 Dhjetor, 2017 - 3:59 pm

Kanë përfunduar kësisoj dy netët gjysmëfinale të edicionit të këtij viti të Festivalit “Kënga Magjike”.

Pallati i Kongreseve në Tiranë për dy net me radhë ishte nikoqir i këngëtarëve që këtë vit sjellin krijimet e tyre muzikore në një edicion të mbushur me muzikë.

Në të dy netët, emrat e mëdhenj të muzikës por edhe emrat e rinj janë bashkuar drejt një gare të fuqishme. Para se të shohim finalen e festivalit, nesër mbrëma, po sjellim këtu disa prej atyre që mund të fitojnë festivalin, shkruan KultPlus.

Këtë edicion, dukshëm nuk ka një favorit absolut që do të fitonte festivalin, por këngëtarët kanë ardhur me projekte aq të fuqishme, sa dikush veçohet ndër të tjerët.

Elhaida Dani me këngën “E ngrirë” ka ardhur e fuqishme dhe me emocion në këtë festival. Fituese e shumëfishtë e disa garave muzikore, për Elhaidën një fitore në “Këngën Magjike” do të ishte një tjetër trofe.

Rovena Stefa ka një këngë të veçantë. Vokali i saj në natën kur performoi lë shumë për të dëshiruar, por ajo është Rovena dhe ka tanimë një bagazh muzikor prapa saj. Kënga “Veç një jetë” po pëlqehet në rrjetet sociale ndërsa edhe mund të na befasojë me fitore.

Anxhela Peristeri ka ardhur në natën e parë të Festivalit “Kënga Magjike”. Anxhela gjithmonë vjen e veçantë, ndërsa ka sjellë një këngë që është konkurrencë e fortë në edicionin e 19-të të Këngës Magjike.

Valon Shehu, djali nga Kosova i cili po bën karrierë më të bujshme në Shqipëri, në festival këtë vit vjen me “Ti mos më shaj”. Ai ka bashkëpunuar me Filloreta Raçin dhe Kledi Bahitin për të sjellë një këngë që ka rreth 300 mijë klikime në Youtube dhe u performua në një nga netët e prezantimit në Sallën prestigjioze para publikut besnik. / KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme