6 Gusht, 2025 - 2:30 pm
Lady Gaga, Bruno Mars dhe Kendrick Lamar janë artistët me më shumë nominime për edicionin e sivjetshëm të çmimeve MTV Video Music Awards (VMAs).
Ndër artistët më të nominuar janë gjithashtu edhe Sabrina Carpenter dhe Ariana Grande, të cilat kanë pasur një vit të suksesshëm në muzikën pop.
Dy ikonat e muzikës Beyoncé dhe Taylor Swift, që ndajnë rekordin për më shumë çmime VMA të fituara ndonjëherë (nga 30 secila), këtë vit janë nominuar vetëm në një kategori, artistja e vitit. Edhe pse asnjëra nuk ka publikuar album gjatë vitit të fundit, të dyja kanë zhvilluar turne të mëdha dhe të suksesshme.
Taylor Swift mban rekordin si artistja me më shumë trofe “Moonman” si soliste, ndërsa shumë prej çmimeve të Beyoncé përfshijnë bashkëpunime. Kujtojmë se vitin e kaluar Swift ishte fituesja më e madhe e mbrëmjes, duke marrë shtatë çmime, përfshirë dy më kryesoret: artistja e vitit dhe videoja e vitit.
Për vitin 2025, Lady Gaga udhëheq me 12 nominime, Bruno Mars me 11, ndërsa reperi Kendrick Lamar ndjek me 10. Këngëtarja e hitit “Espresso”, Sabrina Carpenter, është nominuar në tetë kategori.
Ndër nominimet e Lady Gaga përfshihen artistja e vitit dhe albumi më i mirë për projektin e saj “Mayhem”. Artistja 39-vjeçare është aktualisht në një turne në SHBA.
Kënga Die With A Smile, një bashkëpunim mes Lady Gaga dhe Bruno Mars (edhe ai 39 vjeç), është nominuar për këngën e vitit. Dy artistët janë gjithashtu në garë për kategoritë bashkëpunimi më i mirë, kënga më e mirë pop, dhe videoja e vitit.
Këtë vit, ceremonia e VMA-ve sjell dy kategori të reja: artisti më i mirë country dhe artisti më i mirë pop.
Shfaqja do të zhvillohet më 7 shtator në UBS Arena në New York.
Nga ana tjetër, deri më tani nuk janë shpallur plane për edicionin e MTV Europe Music Awards për vitin 2025, me raportime që tregojnë se eventi është përkohësisht në pauzë./BBC/KultPlus.com