Legjenda londineze e muzikës General Levy, vjen në ‘Turtle Fest’

28 Korrik, 2017 - 10:01 am

Nisur si një festë e vogël në plazhin e mrekullueshëm të Drymades, tashmë në edicionin e tij të gjashtë, Turtle Fest ka arritur që të kthehet në një ndër festivalet më të rëndësishëm të rajonit për shkak se përmbledh muzikën e mirë, efekte vizuale të mrekullueshme dhe rivierën unike shqiptare, përcjellë KultPlus.

Tashmë, në prag të tre netëve të gjata dhe ditëve të freskëta, festivali publikoi dhe tre emrat të cilët do udhëheqin tre mbrëmjet e tij, duke formuar kështu dhe natyrën e secilës natë.

General Levy (UK) do jetw nw Turtle Fest 2017

General Levy, legjenda londineze e muzikës, i cili prej 20 vitesh është Headliner në eventet më të rëndësishme europiane tw muzikës Reggae, Jungle, Drum and Bass, vjen për të parën herë për të performuar Live në skenën kryesore të Turtle Fest. I njohur ndryshe si Mr. Incredible, ai ka qenë influencë e shumë Mc-ve dhe zhanreve të ndryshme urbane që janë zhvilluar për pasojë.
General Levy do çelë natën e parë të Turtle Fest, në të cilën do mbizotërojë muzika reggae, hip-hop, jungle dhe drum’n’bass, në një eksperiencë e cila do ju bëjë të kërceni gjithë natën.

Prej më shumë se 20 vitesh në skenë, General Levy është absolutisht veterani më i madh i skenës urbane të muzikës në Mbretërinë e Bashkuar. Ai u rrit nën influencat e muzikës reggae dhe kulturës afro-amerikane. Falë vëllait të tij të madh, i cili është një fans shumë i madh i muzikës, General Levy krijoi një variabël të kulturës muzikore e cila varion nga ska në rock steady, nga calypso në muzikën soul, nga hip-hop në reggae.

Shumë shpejt nisi të shkruajë tekstet e këngëve të tij, ndaj suksesi nuk vonoi, pasi vetëm në moshën 19 vjeçare General Levy fitoi vëmendje botërore, duke fituar dhe shumë çmime si albumi më i mirë reggae, për publikimin e tij të parë të quajtur “Third Dimension”, kënga më e mirë e vitit për “Heat” dhe vlerësimin si MC më i mirë në UK.

Mandej, kënga e tij “Incredible”, një sukses botëror, nuk arriti thjesht majat e klasifikimeve botërore, por u përdor dhe në filma si “Ali G” dhe “Seuls Two”.

Në skenat e mëdha festive, General Levy ka ndezur publikun e Garance Reggae Festival apo Summer Jam dhe gjithashtu të Reggae Sun Ska apo Realbeat Reggae Festival. Të gjitha këto evente janë pushtuar nga ky talent dhe performues i jashtëzakonshëm.

Bashkëpunimet e tij me studio e mëdha të prodhimit janë gjithashtu mbresëlënëse, duke nisur nga Capleton, Sly & Robbie, Danakil dhe Desmond Dekker.

Albumi i ri i General Levy sjell një gamë bashkëpunimesh me artistë të ndryshëm, për të sjellë si rezultat një publikim eklektik dhe të suksesshëm në rrymën funk, hip hop, jungle dhe reggae. “We progressive” mban vlera edhe sepse shënon bashkëpunime me artistë si Balik (Danakil), Big Red (Raggasonic) dhe Papa Style & Baldas. / KultPlus.com


Të ngjajshme