Lekë Morina, Urim Maliqi dhe Ehad Dula, sollën emocione të mëdha në edicionin e dhjetë të “Vihuela Guitar Fest”

13 Dhjetor, 2022 - 11:15 pm

Era Berisha

Festivali ndërkombëtar i kitarës “Vihuela Guitar Fest” sot ka shënuar suksesshëm edicionin e tij të dhjetë, me ç’rast ka dëshmuar se përkrahja e artistëve të rinj vendor, është një nga poentat kyçe që promovon festivali. Gjithsej tri kitaristët e rinj si: Lekë Morina, Ehad Dula dhe Urim Maliqi, kanë magjepsur sot me tri programe krejtësisht të ndryshme por që vulosën natën me tinguj magjik e jo shpesh të dëgjuar, shkruan KultPlus.

Kjo mbrëmje e festivalit “Vihuela Guitar” u mbajt në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës ‘Pjetër Bogdani’, duke mbledhur rreth vetes një numër të konsiderueshëm të artdashësve, të cilët u vendosën në karriget e tyre që kishin marrë formën e gjysmë hënës. Kurse, “skena” qe ajo që posedonte një karrige për kitaristët si dhe një mikrofon i vendosur poshtë e përballë pozicionimit të karriges, asisoj që vija melodike e çdo programi të jetë zhurma e vetme që prekte atmosferën.

Në anën tjetër, ato që i dhanë një hijeshi ndryshe këtij edicioni dhe vetë ambientit, ishin katër reflektorët në ngjyrë portokalli, dy në ngjyrë të verdhë që portretizonin ngjyrat e sivjetshme të festivalit. Ndërkaq, reflektori i ngrohtë që ishte vendosur sipër katit të dytë, binte pingul tek vendndodhja e kitaristëve, në mënyrë që gishtërinjtë e secilit të ishin kryevepra e mbrëmjes.

Ishin pikërisht duartrokitjet nga publiku që në skenë, për një fjalë përshëndetëse, e mirëpritën drejtorin artistik të festivalit, Naser Dula.

“Mirëmbrëma të gjithëve. Faleminderit që keni gjetur kohë për të ardhur sonte në edicionin e dhjetë me radhë të festivalit të kitarës. Për mua si themelues dhe si drejtor i festivalit është një kënaqësi shumë e madhe që vërtetë ka arritur të jetë jetik dhe falënderimi i takon gjithë atyre që më kanë përkrahur çdo herë”, thotë ai.

Sipas tij, ky edicion është menduar që t’i përkrah talentet e rinj, pra kitaristët e rinj.

“Është bërë një bashkëpunim me Akademinë e Muzikës dhe kësaj here tre kitaristët vinë nga klasa e profesorit Drilon Çoçaj, i cili vërtetë ka bërë një punë të mrekullueshme. Unë do të zotohem që do të jem prapë entuziast që festivali ynë të vazhdojë, të jetë më i madh. Në vitin tjetër ne do të kemi edhe një violinist nga Bashkia e Francës, andaj do të mundohemi ta vazhdojmë këtë traditë me sukses por gjithmonë edhe me bashkëpunime nga Kosova, Shqipëria e Maqedonia”, përfundon Dula.

Tutje sipas radhës së menduar, për të interpretuar fillimisht doli kitaristi Lekë Morina. Me një ndreqje të shpejtë të duarve të tij dhe kitarës, ai hyri direkt në veprën e parë të titulluar “Prelude, Sarabande, Gigue – BWW 996” të kompozitorit Johann Sebastian Bach. Goditja e telave, lëvizja e kokës në ritëm me meloditë, sytë e mbyllur të tij, tregonin për një shkathtësi e pasion që rrallëherë vërehet tek talentet e reja.

Në veprën “Prelude 1,8”  të kompozitorit Claude Debussy, kitaristi Morina vjen pak më ndryshe. Vërehet qetësia e tij shpirtërore që rrjedh lehtazi nëpër duart e gishtërinjtë e tij, duke shënuar suksesshëm secilën notë muzikore. Përqendrimi i tij në kitarë, instrumentin që dukej sikur trup i dytë ne skenë, qe i jashtëzakonshëm, dhe për këtë zunë vend edhe duartrokitjet e shumta nga ana e të pranishmëve.

Pas gjysmë ore interpretim, për të sjellë magjinë e veprave sikur: “Introduction & Allegretto”, “Etude no.6” dhe “Usher-Waltz”, doli kitaristi Ehad Dula, i cili, pa kaluar shumë kohë, dëshmoi për një teknikë të veçantë. Dukej se instrumenti i kitarës ishte vetë qenia e tij, dhe se meloditë shkonin rrëke e tregonin për madhështinë e kompozitorëve si Napoleon Coste, Heitor Villa-Lobos dhe Nikita Koshkin.

Një gjallërim unik pasonte sa herë që gishtërinjtë e tij fokusoheshin vetëm në njërin tel derisa radha u vinte secilit. Dukej e lehtë nga vështrimi i syrit, por në fakt durimi dhe vëmendja që e kërkojnë këto vepra, është tejet i lartë. Por, si dukej, kjo veçse ishte bërë pjesë e jetesës së vetë kitaristit Dula, në lëvizjet e së cilit dallohej dashuria e madhe për muzikën klasike si dhe ekzistencën e kitarës.

14 minuta kishin kaluar tashmë, dhe sa u hapën e mbyllën sytë, kitaristi tjetër i radhës, Urim Maliqi, zuri pozicionimin e tij në karrige dhe kitara u bë pjesë e pandashme në këmbët e duart e tij. Këtë herë, një emocion i papërshkrueshëm kishte zënë vend në mesin e audiencës dhe kjo shtohej akoma nga hipnoza që arriti të krijohej nga veprat e mrekullueshme si: “Grave – Violin Sonata II, BWW 1003” e kompozitorit Johann Sebastian Bach, “Etude no.4” e kompozitorit Giulio Regondi dhe “Preludi, Cançoneta, Dansa” nga Vicente Asencio.

Këto vepra që për pak edhe do të shënonin programin e fundit për këtë koncert, e mbështollën natën nëpër copëza magjike që janë tejet të nevojshme për audiencën kosovare, që e çmon lartë artin e kitarës. Këtë gjë e bëri edhe vetë kitaristi Maliqi, duke e thënë me tinguj, se kitara është një instrument që ka nevojë të frymon, dëshiron të frymojë dhe ka fuqi që depërtojnë thellë tek secili njeri që arrin ta dëgjojë këtë thirrje.

Me buzëqeshje të shumta, fotografi që shkrepeshin vazhdimisht dhe qetësinë absolute që u bë shoqëruesi i kitaristëve në “skenë”, u duartrokitën të tre interpretuesit, si dhe profesori i klasës së tyre, Drilon Çoçaj.

Për të përmbyllë këtë mbrëmje muzikore, doli edhe një herë drejtori i artistik i festivalit “Vihuela Guitar”, Naser Dula, i cili fillimisht shpërndau mirënjohje për përkrahësit e festivalit për vite me radhë si: Ministria e Kulturës, Komuna e Prishtinës dhe Radio KFOR.

Nuk munguan as edhe mirënjohjet për kitaristët e rinj si: Lekë Morina, Ehad Dula dhe Urim Maliqi, të cilët e shfaqën dhuntinë e tyre dhe dhuruan ndjesi të mrekullueshme.

“Mirënjohjet ndahen edhe për ata që sot e kanë merituar shumë për shkak se kanë ofruar një program shumë të mirë dhe një interpretim jashtëzakonisht të bukur”, ka thënë drejtori Dula përpara se t’i shpërndante këto mirënjohje ndaj tri kitaristëve.

Festivali organizohet në kuadër të shkollës së muzikës “Vihuela” e cila këtë vit shënon 20 vjetorin e themelimit të saj.

Gjithashtu, festivali përkrahet nga Komuna e Prishtinës, Biblioteka Kombëtare “Pjetër Bogdani” Prishtinë, Promusic Yamaha. / KultPlus.com

Të ngjajshme