Liliana Çavolli: Këngën e kam kultivuar në shtëpi, jam rritur me këngën

17 Qershor, 2021 - 7:28 pm

Po e sjellim sonte për lexuesin e KultPlus një intervistë të realizuar në vitin 2007 me artisten Liliana Çavolli.

Çavolli ndërroi jetë në vitin 2015-të.

Nga Flora Durmishi

Liliana Cavolli u shqua si artiste e rrallë, e cila pushtoi majat e muzikës zbavitëse, por shkëlqeu edhe në zhanre të tjera. Liliana u lind në Prizren më 5 maj të vitit 1942 nga nënë Miseretja-aktore dhe këngëtare dhe babai Isak Cavolli, mësues. Liliana ishte fëmijë dhe mezi e mban në mend kur familja e saj u shpërngul në Shkup ku qëndroi disa vjet.Po në Shkup Liliana pati paraqitjen e parë në radio pa e ditur se ky ishte hapi i saj i parë në karrierë. Nëna e Lilianës ishte këngëtare dhe një mëngjes e mori si shoqëruese në një paraqitje në radio. Fati përsëri e këtheu në Prizren ku Liliana filloi të hedh shtat si vajzë por edhe si këngëtare. Njëkohësisht ndoqi mësimet e solokëndimit në shkollë të mesme të muzikës dhe u anëtarësua në SH.K.A. “Agimi”. Talenti, zëri dhe puna në Prizren bënë që Liliana të shquhet shpejt si emër premtues. Këto karakteristika e bënë ardhjen më të lehtë të saj në Radio Prishtinë. Këtu fillon një kapitull tjetër shumë i rëndësishëm për jetën dhe karrierën artistike të Liliana Cavollit. Zëri, si dhuratë nga natyra, dhe dashuria për këngën ishin adutet kryesore të Lilianës që e bënë të admiruar. Por nuk ka munguar edhe mbështetja dhe mirëkuptimi nga kolegët dhe kompozitorët si: Skënder Gjinali, Musa Piperku, Severin Kajtazi, Gjergj Kaqinari, Isak Mucolli etj. ndaj të cilëve Liliana është shumë mirënjohëse.
Opusi i këngëve të Lilianës është shumë i gjerë dhe ajo, sic vlerësojnë krijuesit dhe kritikët e muzikës, interpretoi shkëlqyeshëm në të gjitha zhanret.

Në Radio Prishtinë Liliana këndonte vet dhe këndonte bukur por njëkohësisht ka dhënë një ndihmesë që edhe këngët tjera, që transmetoheshin, të kishin nivelin e duhur artistik. Liliana ishte redaktore e muzikës dhe udhëheqëse e emisioneve të paharrueshme si “Unë ti muzika dhe poezia”, “Evergeen” etj. Edhe sot ajo udhëheq emisionet më të dëgjuara muzikore në Radio Kosovë ku ndihet shumë mirë.

Liliana Cavolli ishte dhe do të mbetet “ Zonjë e muzikës zbavitëse”.

Jeni ndër kengëtaret më me emër, keni qenë redaktore e muzikës në ish Radio Prishtinë dhe autore e disa emisioneve ndërsa tash jeni autore e dy emisioneve shumë të dëgjuara në Radio Kosovë! A mund të tërheqni një paralele nga koha kur keni punuar në Radio Prishtinë me të sotmen kur punoni në Radio Kosovë?

S’ka ndonjë dallim të madh! Punoj me dashuri dhe entuazëm si dikur! Jam e lumtur që më dëgjojnë edhe më tutje ata që dikur kanë qenë gjeneratë e re e tash janë të rritur.

Rridhni nga një familje artistësh. Nëna juaj, Meserete Cavolli, ka qenë këngëtare dhe aktore. Keni lindur në Prizren, jeni rritur në Shkup. Jeni rikthyer në Prizren ku edhe keni mbaruar shkollën e muzikës. Pse kjo lëvizje Prizren-Shkup-Prizren?

Në vitin 1953 u larguam nga Kosova për në Shkup ngase i ndjeri babi im, Isak Cavolli, ka qenë i përndjekur nga UDB-a serbe dhe gjithënjë i burgosur. Prandaj shkuam në Shkup, me nënën dhe dy vëllezërit e mi, dhe jetuam atje vite të tëra. U këthyem në Prishtinë. Nëna ime ishte aktore në Prishtinë fillimisht, e pastaj edhe në Shkup njëherit ishte edhe një ndër këngëtaret e para të Kosovës krahas Zehra Mulës, pastaj kanë ardhur Vera Shahta e më pas Nexhmije Pagarusha, Sanije Shala e kështu me radhë.

Çfarë kujtoni nga fillimet tuaja në fushën e muzikës? Si lindi dashuria për këngën?

Diku në vitet e 60 u paraqita dhe unë si pasardhëse e nënës sime, se këngën e kam kultivuar në shtëpi, jam rritur me këngën. Nëna ime ka qenë për nga natyra shumë e gjallë dhe duke kryer punët edhe këndonte ndërsa unë e përcillja me zërin e dytë. Mund të kujtoj me këtë rast kur në Radio Shkup, isha shumë e vogël, nëna këndonte gjallë, pra drejtëpërdrejtë. Shkonim në mëngjes në radio, me që ishte drejtpërdrejtë, dhe unë e përcillja në këngë. P.sh. kemi pasur disa duete pastaj në Radio Prishtinë i kemi regjistruar ato. Nuk jam e sigurt a ekzistojnë më ato këngë. Do doja shumë që t’i kem në fonotekën time, më shumë për shkak të vajzës sime e cila do donte shumë t’i ketë ato. Edhe babai im ka qenë adhurues i këngës e muzikës. Të gjithë kemi kënduar, ka qenë një atmosferë muzikore në shtëpi.

Keni qenë gjithashtu edhe pjestare e SHKA “Agimi”. Paraqitja e parë para publikut kosovar a ju kujtohet?

Po, paraqitja e parë ka qenë si pijestare e shoqërisë “Agimi” shoqëri me traditë. “Agimi” ka pasë në gjirin e vet orkestrin zbavitës, popullor, korin. Atje jam paraqitur për herë të parë para publikut prizrenas me këngë zbavitëse nga festivali i Sanremos i cili atëbotë ishte shumë i popullarizuar, festival Italian. Ne e dëgjonim në radio, i kopjonim këngët e tyre dhe i këndonim. Pastaj erdha në Prishtinë.

Në karrierën tuaj komunikimet me Shqipërinë?

Kam pasë fatin që të shkoj, me ansamblin “Shota”, në Shqipëri diku në vitet e shtatëdhjeta dhe nuk mund ta harroj pritjen që na është bërë! Publiku i Shqipërisë na ka admiruar! Nuk mund t’i harroj ato suksese qe kam pasur atje! Cdo takim me adhuruesit e mi në Shqipëri më krijon emocion dhe kënaqësi të posacme.

A janë realizuar të gjitha ëndërrat e Lilianës?

Kam pasur shumë dëshirë të merrem me muzikë klasike. I kam pasur të gjitha predispozitat të bëhem këngëtare e operas por ja kështu nuk u bë. Erdha në Kosovë, fillova të këndoj… më morën ujrat e zbavitjes, muzikës zbavitëse, popullore, u punësova… Kështu që as vet nuk u angazhova për ta plotësuar këtë dëshirë, por këtë ua dëshiroj talenteve të reja. Ka shumë prej tyre që vërtet mund të arrijnë. Do t’u kisha thënë atyre të mos shkojnë të këndojnë nëpër kafene por ta ruajnë zërin, të shkollohen, se një ditë patjetër që do të funksionojë si duhet edhe ky segment. / KultPlus.com

Të ngjajshme