Lin Festival, përçim i vlerave të trashëgimisë te brezat e rinj

16 Gusht, 2025 - 1:05 pm

Në fshatin piktoresk të Linit në Pogradec u çel edicioni i tretë i Lin Festival, duke sjellë një atmosferë të ngrohtë me ndërthurjen e performancave të artistëve nga trevat shqiptare.

Lin Festival ka mbledhur me qindra banorë dhe turistë të huaj, të cilët pushojnë në fshatin e konfirmuar tashmë si vendbanimi më i vjetër palafit në Europë.

Gjatë ditëve të festivalit (14-16 gusht) muzika, vallet, zakonet dhe trashëgimia kulturore e të parëve ofrojnë një udhëtim unik në historinë dhe shpirtin e kësaj zone.

Organizatori i këtij festivali, Altin Tila tha se “ripërjetimi i trashëgimisë kulturore dhe përçimi i saj tek brezat e rinj, është qëllimi i Lin Festival, i cili mbahet për të tretin vit radhazi në fshatin piktoresk të Linit. Qëllimi është jo vetëm argëtimi i banorëve dhe vizitorëve, por edhe përçimi i vlerave të trashëgimisë tek brezat e rinj”.

Për artistët performues në këtë festival, Lini mbetet jo vetëm një destinacion që duhet vizituar, por edhe një vend që përcjell në të gjitha dimensionet e tij historinë e lashtë të tij.

Në festival performojnë tenori Adhurim Grezda, kantautori Adhurim Demiri dhe sopranoja Nina Muho, Blerina Shera dhe Stefano di Matteo, etj.

Në kuadër të këtij festivali Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave solli pranë publikut edhe ekspozitën fotografike të jashtëzakonshme me veprat e mjeshtrave korçarë Vani Burda dhe Thimi Raci.

Nën dritat e festivalit dhe tingujt e muzikës, fotografitë u shfaqën në një atmosferë unike, ku historia e juglindjes shqiptare të fillimshekullit XX mori jetë përmes portreteve, peizazheve dhe momenteve të rralla të dokumentuara nga këta dy autorë të shquar.

DPA merr pjesë për herë të dytë radhazi në Lin Festival ku ka sjellë thesaret e arkivave pranë komunitetit dhe vizitorëve./atsh/KultPlus.com

Të ngjajshme