Luçie Miloti pati jetë me shqetësime, vuajtje, dhimbje…

28 Nëntor, 2017 - 6:32 pm

Një prej këngëtareve më të mira që shqiptaria ka dëgjuar e ka parë, Luçie Miloti ka çuditur gjithmonë publikun me fuqinë e saj hyjnore të vokalit.

Luçie Miloti lindi në një familje me tradita muzikore. Për herë të parë ka dalë në skenë në moshën 12-vjeçare dhe çuditi spektatorët shkodranë duke kënduar përkrah me Bik Ndojën, File Gjeloshin, Pjetër Gjergjin etj.

Në vitin 2004, dy vite para se të vdiste, ajo flet me Sanije Gashin në librin “Ecje nëpër kujtesë”, ku tregon për jetën e saj, për pesimizmin e saj edhe pse thotë se nga jashtë duket e lumtur, por është e zbraztë. Luçia sot nuk jeton më por megjithatë, këngët e saj flasin vetë për talentin dhe trashëgiminë që ajo i la shqiptarëve.

Po e sjellim këtu një pjesë nga libri i Sanije Gashit, ku flet edhe Luçie Miloti dhe vajza e saj Nora.

Thonë se për të depërtuar në botën shpirtërore të Luçies, duhet ta njohësh për së afërmi, se ka huqet e saj, është shumë e ndjeshme… sit ë gjithë artistët.

“Është e njohur si tip me temperament të panënshtruar, por e çiltër, zor del nga natyra e vet” – do të shkruajë me një rast muzikant I I njohur Ramadan Sokoli. Luçia pati jetë të ndërthurur me shqetësime, zhgënjime, vuajtje, dhimbje, kundrejt gëzimeve të pakta, por gjeti forcë në vetvete për ti përballuar.
Luçies i pëlqen ti përmendë këngëtarët me të cilët kaloi vitet më të bukura të jetës, që shumë prej tyre tani nuk janë më në jetë.
Uh, mos ma përmend Fitnete Rexhën e ndjerë, e kam pasur shumë shoqe… me Bik Ndojën nuk kontaktojmë, por dëgjohemi ndonjëherë përmes telefonit, se ai jeton në Shkodër, flet mallëngjyeshëm, sikurse edhe për qytetin e saj të lindjes.
Shkodrën e kujtoj me mall të madh, aty jam lindur, jam rritur, aty kam filluar me File Gjeloshin, me Pjetër Gjergjin, me Bik Ndojën. Skam më shëndet, forcë të shkoj – thotë. Luçia këndoi shumë këngë, por pak kanë mbetur të incizuara. Sot, herë pas here, dëgjohen në valët e Radio Tiranës 3-4 sosh.. E bija Nora është përkujdesur që ti mblidhte disa dhe të botonte një kasetë. Kaq.

Luçia me të bijën, mbrëmjeve shpesh ia thonë këngës, “duete për qejf, kemi sa të duash” – qeshet Nora tek i kthehet së ëmës: “T`ia falim një këngë Sanijes, hë?”. – Pa fije nazesh, që të dyja formojnë një duet që u shkon bukur, nisin këngën “Syrin tënd larush, moj cikë”… Pyetjes se ka ndonjë këngë që në çastet kur ndihet e mallëngjyer, do ta këndonte me qejf, Lucia i përgjigjet pa u kujtuar: “Kam. “Në Zaman t`njasaj furie” është jare, përpunim shumë i mirë i Çesk Zadesë”, shpjegon.
Këngëtarja tani e ndien veten të mënjanuar, të harruar, të lodhur nga jeta. Është diçka e brendshme që e ngacmon të flasë: “Nuk kam shoqëri, nuk dal, jam e mbyllur, si të them, më janë prerë këmbët, ndonëse më merr malli. Jam shumë pesimiste, ani që së jashtmi dukem alegro. Rri në penxhere, shikoj lulet shoh zogjtë. Jeta kalon”
… / KultPlus.com

https://www.youtube.com/watch?v=734xlCMTJoc

Të ngjajshme