Mbahet konceri në nderim të pianistes së parë shqiptare, Lola Gjoka

25 Maj, 2022 - 9:30 pm

Pianistja e parë shqiptare Lola Gjoka, një nga figurat shumëdimensionale në historinë e artit tonë muzikor shqiptar, u përkujtua sot me një koncert.

Në koncert ishte e pranishme edhe ministrja e Kulturës, Elva Margariti, artistë, artdashës etj.

Përmes zërave dhe interpretimit të bukur të sopranos Mariana Leka, tenorit Gerald Murrja dhe baritonit Antonio Zefi, shoqëruar në piano nga prof. Rudina Ciko dhe drejtimin e maestro Zhani Ciko u interpretuan këngë të mbledhura dhe të përpunuara të përfshira në dy CD, mundësuar nga dashamirësi i artit, av. Përparim Kalo.

“Ky aktivitet i sotëm është pjesë e homazhit që Ministria e Kulturës dhe bashkëpunëtorët tanë i bëjnë një brezi artistesh “të para”, që guxuan t’i dedikoheshin artit në kohëra të pazakonta”, shprehet ministrja Margariti në një postim në rrjetet sociale.

Margariti bëri të ditur se “disa muaj më parë kontribuuam në botimin e librit të aktores Tinka Kurti, ndër të parat aktore shqiptare; këtë vit çuam në Bienalen e Venecias të parën grua shqiptare me një ekspozitë vetjake, Lumturi Blloshmin; në datën 2 qershor do të përkujtojmë të parën regjisore shqiptare, Drita Agollin. Çdonjëra prej tyre ka vendosur një gur themeli në artin shqiptar”.

Pianistja Lola Gjoka, lindi më 22 maj të vitit 1910 në Sevastopol të Rusisë në një familje emigrantësh shqiptarë me origjinë nga Korça. Pasuria dhe dashuria për muzikën vokale e në veçanti për këngën popullore, ka ushqyer gjithmonë shpirtin e saj krijues.

Me elegancën dhe temperamentin që e karakterizonte, ajo krijoi dhe interpretoi Suitën për piano e orkestër harqesh për Koncertet e majit 1978. Por sigurisht që thesari më i çmuar që  ka lënë është libri “50 këngë të përpunuara”, botuar pas vdekjes. Vdiq më 6 tetor të vitit 1985 në Tiranë./atsh/ KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme