Mbrëmë nisi festa e madhe e muzikës shqiptare, Festivali i Këngës në RTSH solli plot emocione (VIDEO)

20 Dhjetor, 2023 - 10:38 am

Mbrëmë në Shqipëri nisi festa e madhe e muzikës shqiptare, përcjell KultPlus.

Festivali i Këngës 2023, edicioni i 62-të i konkursit të përvitshëm të muzikës shqiptare, organizuar nga Radio Televizioni Shqiptar (RTSH), nisi mbrëmë dhe do të zgjasë deri më 22 dhjetor 2023 në Pallatin e Kongreseve në Tiranë, me nikoqire Adriana Matoshi dhe Kledi Kadiu me Xhuliano Dulen dhe Krisa Çaushin. 

Në një skenë të bukur, me një energji të madhe dhe shumë këngë të bukura, festa e muzikës mbrëmë u përjetua me mjaft emocione nga publiku.

Edicioni i 62-të i Festivalit të Këngës përbëhet nga dy gjysmëfinale, e para u mbajt mbrëmë dhe shpalosi pjesën e parë të këngëve garuese, përderisa nata e sotme do të sjellë pjesën tjetër të garuesve, për ti lënë tutje hapësirë datës 21 dhjetor, një “natë nostalgjie” dhe një finale më 22 dhjetor 2023.

Një juri prej 11 anëtarësh do të votojë për të përcaktuar artistët që kalojnë në finale nga faza kualifikuese, që do të shpallet në fund të natës së tretë, si dhe fituesin e finales.

Televotimi i prezantuar në edicionin e kaluar do të përbëjë sërish një përzgjedhje më vete kushtuar përfaqësueses shqiptare në Eurovizion. Dy votimet fillimisht u krijuan për t’u kombinuar në një raport 50/50 ose 60/40 për të përcaktuar një fitues të vetëm.

Për të dytin vit radhazi, fituesi i një televotimi të dedikuar do të përfaqësojë Shqipërinë në Eurovision 2024.

Ne po ju sjellim videon e plotë që ju sjell më afër ngjarjes së mbrëmshme. / KultPlus.com

Të ngjajshme