Mbrëmje artistike kushtuar Tefta Tashko Koços në Korçë

23 Korrik, 2018 - 10:30 am

Mbrëmja e 25 korrikut i kushtohet Tefta Tashko Koços në qytetin e Korçës.

Sopranoja e njohur Inva Mula sjell në një mbrëmje muzikore disa nga zërat e skenës lirike, që do të nderojnë figurën e sopranos Tefta Tashko Koço, ku do të interpretohen këngët e saj.

Në Pazarin e Vjetër mbrëmja e 25 korrikut në Korçë shënon dhe hapjen e festivalit ndërkombëtar të muzikës MIK, që organizohet nga Inva Mula.

Pjesë e mbrëmjes janë artistet Arlinda Morava, Klejda Tare, Zhulieta Sheremeni, Xhoi Mance dhe Kristo Sherko. Jo vetëm këngët më të bukura që janë interpretuar nga Tefta Tashko Koço janë pjesë e kësaj mbrëmje, por nuk mungon dhe një kumtesë nga studiuesi Pandi Bello.

Festivalit “Muzika Internacionale në Korçë” (MIK) do të zgjasë plotë pesë ditë me aktivitete gjithëpërfshirëse për të promovuar kulturën .

Krijimtaria e artistes Tefta Tashko Koço

Tefta Tashko Koço (2 nëntor 1910 – Tiranë 30 dhjetor 1947) një këngëtare e shquar lirike në interpretimin e këngës popullore qytetare mbarëshqiptare. Në Korçë kemi aktivizimet e para të Teftës si këngëtare dhe data 26 qershor 1926 mbahet si koncerti i saj i parë në publik.

Në vitin 1930, Tefta bën incizimet e para muzikore pranë shoqërisë diskografike “Pathe”-Paris, si pjesëmarrëse në grupin e këngëtarit të shquar të polifonisë himariote Neço Mukon. Me përfundimin e studimeve, Tefta kthehet në atdhe ku më 26 nëntor 1935 shënohet edhe koncerti i saj i parë si këngëtare profesioniste në Shqipëri koncerte të cilat ajo i dha në shumicën e qyteteve shqiptare.
Janë rreth 89 këngë popullore të të gjithë qyteteve të Shqipërisë që Tefta i kishte në repertor dhe rreth 36 prej tyre ajo i regjistroi në pllaka gramafoni në vitet 1930, 1937 dhe 1942 në Paris, Francë dhe Milano, Itali.

Ndër to përmendim “Zare trëndafile”, “Të dua, moj goc’ e vogël”, “Bilbil çapkëni”, “Qante lulja lulen”, “Kenke nur i bukurisë”, “As aman, moj lule”, etj.

Në listën e gjatë të këngëve popullore janë edhe këngët popullore të përpunuara nga kompozitori Kristo Kono me poezi të Lasgush Poradecit si “Kroi i fshatit tonë”, apo “Kur më vjen burri nga stani”. Në vitin 1945, Tefta këndon në operën e Beogradit me shumë sukses rolin e Mimisë nga opera “Bohemë” e Puçinit dhe atë të Rozinës nga opera “Berberi i Seviljes” e Rosinit, shkruan ata./ KultPlus.com

Të ngjajshme